Last Updated on 02/10/2026 by Klara
Ministri i Mbrojtjes i Republikës së Shqipërisë, Ermal Nufi, ka pritur sot në Tiranë ambasadorin e ri të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Eric Wendt.
Përmes një postimi në rrjetet sociale, ministri Nufi i ka uruar mirëseardhjen ambasadorit të ri amerikan, duke vënë në dukje rëndësinë e partneritetit strategjik mes Shqipërisë dhe SHBA-së në fushën e mbrojtjes dhe sigurisë.
“Ambasador Wendt, mirë se erdhët në Shqipëri!”, shkruan Nufi, duke theksuar se Shtetet e Bashkuara mbeten një partner i rëndësishëm i Shqipërisë në mbrojtje dhe siguri.

Sipas ministrit, Shqipëria i kontribuon këtij partneriteti përmes pozicionit të saj strategjik gjeografik, besueshmërisë dhe vullnetit për të thelluar bashkëpunimin.
Në këtë kuadër, Nufi ka përmendur edhe disa prej kapaciteteve dhe projekteve infrastrukturore me rëndësi për sigurinë dhe lëvizshmërinë e Aleancës në Evropën Juglindore, mes tyre Korridorin VIII, Porto Romanon, Bazën Ajrore të Kuçovës dhe kapacitetet shqiptare për Mbështetjen e Vendit Pritës.
Ministri i Mbrojtjes ka vënë gjithashtu në dukje kontributin e Shqipërisë në misionet dhe angazhimet ndërkombëtare për paqen dhe sigurinë.
“Shqipëria dëshmon se është tashmë një aleate e besuar dhe e aftë të kontribuojë për sigurinë dhe paqen”, shprehet Nufi, duke iu referuar mbështetjes për Ukrainën, pranisë shqiptare në KFOR, pjesëmarrjes në iniciativa shumëkombëshe, si dhe vendimit për pjesëmarrje në Forcën Ndërkombëtare të Stabilizimit në Gaza.

Në përfundim të mesazhit të tij, Nufi ka theksuar rëndësinë e bashkëpunimit shqiptaro-amerikan, duke deklaruar:
“Me Shtetet e Bashkuara, Shqipëria qëndron krah për krah – për lirinë, sigurinë dhe paqen.”
