Nga Microsoft dhe Google te fondet evropiane të investimeve: Emrat ndërkombëtarë që mbërrijnë në Plug and Play Tirana Expo 2026.
Më 7 dhe 8 tetor, Piramida e Tiranës mikpret Plug and Play Tirana Expo 2026, një nga ngjarjet teknologjike më të rëndësishme të rajonit. Eventi shënon përmbylljen e tetë muajve të programit të akselerimit për 21 startup-et e kohortës së dytë. Megjithatë, përveç prezantimeve të startup-eve, ajo që e veçon këtë edicion është lista e pjesëmarrësve: për dy ditë, Tirana do të presë drejtues nga korporata globale, fonde të suksesshme investimesh dhe udhëheqës të rrjetit ndërkombëtar të Plug and Play.
Korporatat globale në skenë
Për startup-et, takimi me përfaqësues të korporatave të mëdha është një shans i rrallë për të parë se si zgjidhjet e tyre mund të zbatohen në shkallë të gjerë dhe për të ndërtuar bashkëpunime strategjike. Në Expo do të jenë të pranishëm Raymond J. Chow, Senior Manager për inovacionin e biznesit në Daimler; Moritz Glandien nga DXC Technology vjen me përvojën e tij në inovacionin e shërbimeve digjitale, ndërsa Dr. Bill Barber, Drejtor i Inovacionit në Intesa Sanpaolo Innovation Center, do të ndajë këndvështrimin e tij mbi të ardhmen e sektorit.
Inteligjenca artificiale dhe teknologjia cloud do të kenë përfaqësues të nivelit më të lartë: Fatos Ismaili, Chief AI Architect në Microsoft, dhe Dario Andreoli, Head of Cloud Platforms në Google. Këta janë vetëm disa nga dhjetëra emrat e konfirmuar, lista e plotë e të cilëve gjendet në www.tiranaexpo.com.
Investitorët që vijnë në Tiranë
Prania e fondeve të kapitalit sipërmarrës (VCs) u jep startup-eve mundësinë reale që idetë e tyre të shndërrohen në investime të konsiderueshme dhe të hapin rrugën drejt tregjeve globale. Mes investitorëve që do të vlerësojnë startup-et shqiptare është Julien Coustaury, Partner Themelues i Fil Rouge Capital. Pranë tij do të jenë Alexandra Lazar nga Elevator Ventures, e specializuar në financat e portofolit dhe marrëdhëniet me investitorët, dhe Max Gurvits, Partner Menaxhues i Vitosha Ventures. Grupin e investitorëve e plotësojnë Rodrigo Ferreira, Drejtor Investimesh në Vinthera, dhe Zeina Mandour, Menaxhere e Investimeve Sipërmarrëse në Dar.
Drejtuesit e rrjetit global të Plug and Play
Një event i këtij kalibri nuk mund të mungonte pa drejtuesit e vetë rrjetit ndërkombëtar të Plug and Play. Në Tiranë vjen Jackie Hernandez, Anëtare Themeluese dhe Zëvendëspresidente e Lartë për Partneritetet Globale në Plug and Play, e shoqëruar nga partnerët Carolin Wais dhe Philipp Gneiting, të cilët kanë përvojë të gjatë në identifikimin e startup-eve, strategji dhe mbështetjen e sipërmarrësve në mbarë botën.
Expo hapet më 7 tetor me fjalën përshëndetëse të Martin Mata, CEO i AADF.
Si të merrni pjesë
Plug and Play Tirana Expo 2026 është më shumë se një panair teknologjik: është një lidhje e drejtpërdrejtë mes Shqipërisë dhe tregjeve ndërkombëtare të kapitalit. Gjatë dy ditëve, pjesëmarrësit do të kenë mundësi të krijojnë kontakte me profesionistë të spikatur të industrisë dhe të shohin nga afër si po merr formë e ardhmja e inovacionit në vend. Regjistrohuni tani në www.tiranaexpo.com dhe bëhuni pjesë e një eventi që po ndikon në zhvillimin e ekosistemit shqiptar.
INFO:
Plug and Play Tirana është një degë e platformës globale Plug and Play Tech Center, me seli në Silicon Valley, e cila vepron në mbi 60 qytete në mbarë botën. Përmes mbështetjes nga Fondacioni Shqiptaro-Amerikan për Zhvillim (AADF), në bashkëpunim me IN Groupe, Bashkia e Tiranës, Piramida, dhe Innovation Hub programi ka sjellë për herë të parë në Shqipëri një qasje të strukturuar të akselerimit të startup-eve./ad
