Last Updated on 08/10/2026 by EL
Një aksident rrugor ka ndodhur pasditen e kësaj të enjteje në afërsi të rrethrrotullimit të Plukut, në bypassin e autostradës në Lushnjë.
Sipas informacioneve paraprake, një automjet tip “Ford” është përplasur me murin e një biznesi, duke rrëzuar edhe një shtyllë ndriçimi. Pas përplasjes, automjeti ka dalë nga rruga dhe pas disa rrotullimeve, ka përfunduar i përmbysur në njërën anë të saj.
Si pasojë e aksidentit ka mbetur i plagosur drejtuesi i automjetit, i cili është transportuar me urgjencë drejt Spitalit të Lushnjës, ku po merr ndihmën mjekësore.
Në vendngjarje kanë shkuar menjëherë shërbimet e policisë së bashku me grupin hetimor, të cilët po punojnë për dokumentimin e ngjarjes dhe zbardhjen e plotë të shkaqeve të aksidentit.
Paraprakisht dyshohet se drejtuesi i automjetit ka qenë duke lëvizur me shpejtësi tej normave të lejuara, duke humbur kontrollin mbi mjetin./et
