Last Updated on 09/10/2026 by Anisa
Kryeministri Edi Rama ka reaguar pas miratimit të reformës së re administrativo-territoriale në Kuvend, e cila u votua me 85 vota pro, duke e cilësuar atë një tjetër shtysë modernizuese për Shqipërinë.
Përmes një reagimi, Rama komentoi debatet dhe zhvillimet që shoqëruan miratimin e reformës, duke përcjellë edhe një mesazh për kundërshtarët politikë të Partisë Socialiste.
“Përtej të gjithë debateve të brendshme, spekulimeve të jashtme dhe peripecive të një kohe të ngatërruar nga gjithfarë duarsh të pista, ca të dukshme e ca të padukshme po jo të pazbuluara tanimë, votimi i mbrëmshëm në Kuvend i dha Shqipërisë një tjetër shtysë modernizuese🇦🇱 Dhe nga ana tjetër, u tregoi edhe njëherë të gjithë atyre që e kishin të nevojshme, se nuk duhet të bëjnë asnjëherë “hesape pa hanxhinë” me Partinë Socialiste🌹”, shkruan Rama.
Reforma e re territoriale parashikon reduktimin e numrit të bashkive nga 61 në 46, duke bërë që 15 bashki të humbasin statusin si njësi të pavarura të vetëqeverisjes vendore dhe të bashkohen me bashki të tjera.
Miratimi i saj u shoqërua me debate mes mazhorancës dhe opozitës, ndërsa edhe disa deputetë të shumicës shprehën kundërshtime ndaj variantit të propozuar.
