Ermal Hasimja ka kritikuar ashpër Partinë Demokratike, duke vënë në dukje mungesën e mobilizimit pas thirrjeve të vazhdueshme për protesta dhe paralajmërimeve për një “uragan” apo “revolucion”.
Në një reagim të tij, Hasimja shprehet se PD-ja ka humbur qëllimin politik, ndërsa të djathtët kanë humbur shpresën për ardhjen e opozitës në pushtet. Sipas tij, mbështetësit nuk mund të presin pafundësisht rezultate nga një parti që nuk ofron një alternativë bindëse.
“Kishte nja dy javë që PD-ja bënte thirrje që të gjithë demokratët të dilnin në shesh, të rrethonin Parlamentin etj., etj. Deklarata pa fund. Do bëhej gjëma sot. Madje, më kujtohet para disa ditësh, Xhelal Mziu, në një emision mëngjesi, paralajmëronte “uragan”, “revolucion”.
Asgjë! Si prej 14 vitesh, asgjë.
PD-ja ka humbur qëllimin, të djathtët kanë humbur shpresën. Ardhja në pushtet duket më e pamundur se Erion Braçe kryetar i Bashkisë së Tiranës.
Partia është bashkim vullnetar i njerëzve me ideale apo bindje të njëjta. Por vullnetarizmi nuk sjell para në shtëpi. Kur nuk ka më asnjë shpresë nga drejtuesit, vullnetarët largohen.
Një jetë kanë. Atë jetë nuk ia japin dot PD-së në opozitë, me një kupolë shumë-vilëshe, shumë-banesëshe, shumë-milionëeuroshë, ndërkohë që vetë ata 500.000 votues ose kanë çarë ferrën në emigrim, ose kanë gjetur një punë për të mbushur barkun në administratë.
Është për të ardhur keq kur sheh se i vetmi diskutim brenda PD-së është: a e hoqi apo s’e hoqi non-gratën Berisha, a vodhi apo s’vodhi Bela, a vodhi apo s’vodhi Rama.
Dhe, mesa duket, PD-ja nuk ka më zgjidhje veçse të sillet si Tefta Radi dikur: Po japim lajmet; Rama vodhi…Rama bëri…
Dikush t’ju thotë se Populli nuk voton opozitën vetëm sepse u tregon çdo ditë se çfarë ka bërë qeveria. Këtë e bënë edicioni i lajmeve në 📺”, shkruan Hasimja./ad
