Last Updated on 16/10/2026 by EL
Shtetasi amerikan Philip Gilpin Jr., përmes një denoncimi publik, rishperndarë nga gazetari Lutfi Dervishi, tregon se është ndaluar fizikisht dhe është marrë në pyetje nga një grup personash të veshur me të zeza e të paidentifikuar, në mes të Sheshit “Skënderbej”.
Sipas dëshmisë së Gilpin, ngjarja ka ndodhur rreth orës 11:00 të mëngjesit, teksa ai po kthehej në apartamentin e tij pasi kishte parë disa ambiente për zyra me një agjent imobiliar.
Amerikani tregon se po bisedonte me një grup prej pesë adoleshentësh në shesh, kur papritur drejt tyre janë turrur rreth 10 persona të veshur me të zeza dhe me shkopinj gome në duar, pa asnjë shenjë dalluese apo identifikuese si forcë rendi.
“Nga asgjëja, rreth 10 burra të veshur me të zeza, pa asnjë identifikim dhe me shkopinj gome, u turrën drejt nesh dhe na ndaluan. Adoleshentët i morën, ndërsa mua më mbajtën dy persona. Njëri më kapi nga kyçi i dorës, më mori telefonin dhe nisi të kontrollonte përmbajtjen, ndërsa tjetri më kërkoi mjetin e identifikimit,” shkruan Gilpin.
Pasi i ka informuar se është shtetas amerikan nga Bostoni dhe u ka treguar patentën e tij amerikane, personat në fjalë e kanë fotografuar atë bashkë me dokumentin dhe, pas rreth 10 minutash “përpjekjeje për ta frikësuar”, e kanë lënë të lirë.
Gilpin ngre alarm mbi sigurinë në qendër të Tiranës, duke deklaruar se brenda vetëm 15 minutave ka qenë dëshmitar i tri incidenteve të tjera të ngjashme, ku grupe personash që silleshin si “banda dhunuesish” ndalonin çdo të ri që kalonte në shesh.
Përmes një përditësimi në shkrimin e tij, shtetasi amerikan njofton se ka vënë menjëherë në dijeni përfaqësitë diplomatike:
“PËRDITËSIM: Kam folur me Ambasadën Amerikane dhe jam në kontakt me përfaqësuesit e mi në Kongresin Amerikan, në Uashington.”
Deri më tani nuk ka një reagim zyrtar nga Policia e Shtetit lidhur me praninë e personave të maskuar pa uniformë në qendër të Tiranës apo për procedurën e ndalimit të shtetasit amerikan./ET
