Last Updated on 18/10/2026 by EL
Biznesmeni Gjergj Luca ka reaguar për situatën e krijuar në vend dhe protestat e ditëve të fundit, duke marrë shkas nga një shkrim i Ben Blushit. Në një mesazh të gjatë, Luca kritikon ashpër klasën politike të 35 viteve të fundit, të cilën e akuzon se nuk ka krijuar një model për të rinjtë, ndërsa del në mbrojtje të kryeministrit Edi Rama dhe u bën thirrje protestuesve të mos dëmtojnë pronën private dhe njerëzit që punojnë.
Reagimi i plotë i Gjergj Lucës:
“Marr shkas nga një artikull i mikut tim Ben Blushi për të dalë e për të dhënë unë një opinion timin për çfarë po ndodh ose pse kemi arritur në këtë ditë.
O Ben Blushi, a keni qenë ju ministër i Arsimit dhe keni qenë ju politikan kaq dekada në Parlament, apo kemi qenë ne që punojmë, që ndërtojmë, që vrapojmë, që motivojmë brezat që do vijnë, veç që s’kemi lëvizur asnjë ditë nga ky vend?
Miq të mi, mos u mundoni t’ia lini fajin shkollimit, t’ia lini fajin rinisë, t’ia lini fajin acarimit, por bëni që të gjithë një ‘check-up’ të shpirtit tuaj, të formimit tuaj.
Përse ndodh kjo punë? Përse Gjergj Luca ka dalë nëpër emisione televizive dhe ka thënë: ‘Ore, po i falim të gjitha’. Po i falim lekët që keni fituar në mënyrë të pandershme, vilat që i keni bërë në mënyrë të pandershme, lekët që i keni në xhep, nëpër beton. Po arrogancën ku t’jua çojmë? Arrogancën tuaj ku t’jua çojmë, që s’keni krijuar një model 35 vjet dhe kur bërtasim ne ‘merruni me modelin, merruni me modelin’, asnjë nga ju nuk ka vesh në vesh.
Cili është modeli, Ben, i atij Parlamenti që është mbushur me hiçër? Cili është modeli, Ben, kur unë dal dhe bërtas se 95 për qind e atij Parlamenti janë hiçër, janë njerëz pa biografi, janë arrogantë, janë pordhaxhinj?
Cili është morali juaj që duhet të dilni të flisni sot, pasi keni kaluar dy-tre legjislatura në Parlament dhe keni qenë edhe ministër i Arsimit? Unë të kam mik, të dua fort, je burrë i mençur, por ai modeli që ne duhet të ndërtojmë, që politika duhet të ndërtojë, nuk e ka arritur kurrë.
Fol, fol, se del i pari. Rrej se të besojnë. Vjell se kështu je i ndershëm. Grabit sepse të vjen krye tavolinës dhe je i mençur. Vrit dhe je bajraktar.
Ky është morali që keni krijuar ju të politikës, ore Ben, për 35 vjet. Dhe unë nuk kam frikë edhe sot, kësaj dite, të dal dhe të bërtas për Edi Ramën, sepse i besoj. Është një vepër njeriu.
Dhe kur kam dalë nëpër televizione dhe më kanë pyetur pse e shajnë Lucën politikanët, pse nuk e shajnë atë që e do fort? I kam thënë: ‘Cilin?’ Edi Ramën. I kam thënë: ‘Edi Rama nuk është politikan, more zotëri’. Po çfarë është Edi Rama? Edi Rama është artisti idealist që pikturon vendin e vet dhe do ta shohë atje.
Edi Rama nuk është politikan, sepse Edi Rama, të dy duart e mia i vë në zjarr në qoftë se ka prekur dikë në xhep, ka prekur dikë në shpirt, ka prekur dikë në mendje.
Por janë qentë që sillen përqark partive. Janë qentë që më kanë grabitur mua në 2005-ën, më kanë mbyllur bizneset. Janë ata hajnat që kanë filluar të vjedhin që në ’90-ën, që kanë djegur Shqipërinë. Janë këta hajnat e tjerë që janë sot në pushtet, që i kanë bërë nënën Shqipërisë.
Këta janë, Ben. Këta duhet të shkojnë nga ai Parlament. Nuk është keq ai njeriu që del dhe është idealist dhe do të bëhet ky vend me idealizmin e tij. Por janë zagarët e partive dhe gjithë ata zagarë duhet të përmbysen dhe duhet të futet ajo frymë e re për Shqipërinë tonë.
Kështu që ju, vëllezër dhe motra, ju rini, mos thyeni pronën private, mos përzini njerëzit që punojnë. Unë nuk kam asnjë hall për veten time, se nuk i kam bërë dëm kujt dhe di t’i dal vetes për zot.
Por ju do t’ju vijë turp në qoftë se nesër-pasnesër edhe këta pak njerëz që janë përshtatur me këtë vend largohen.
Respekte dhe u bëftë më e mira për Shqipërinë tonë.”/et
