Manfred Weber, Iratxe García Pérez dhe Valérie Hayer pritet të rizgjidhen pa kundërshtarë në krye të tre grupeve kryesore politike në Parlamentin Evropian, pavarësisht tensioneve në rritje mes tyre dhe aleancës që mbështet presidenten e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen.
Partia Popullore Evropiane (EPP), grupi i Socialdemokratëve (S&D) dhe grupi liberal Renew Europe do të zhvillojnë zgjedhjet e brendshme për drejtuesit e tyre të martën, më 20 tetor, në Strasburg. Për të tre grupet, rezultatet pritet të jenë të parashikueshme.
Gjermani Manfred Weber pritet të rizgjidhet në krye të EPP-së, të cilën e drejton që prej vitit 2014. Ai nuk ka asnjë rival në garë. Sipas një eurodeputeti të lartë të cituar nga Euronews, Weber ka një kontroll të fortë mbi grupin dhe askush nuk ka menduar ta sfidojë për drejtimin e tij.
Gara kryesore brenda EPP-së do të zhvillohet për postet e nënkryetarëve. Për 10 vende janë në garë 12 kandidatë. Nënkryetarët aktualë që kërkojnë rizgjedhjen pritet të mbajnë postet e tyre, ndërsa eurodeputetja portugeze Lídia Pereira, e cila po largohet nga Parlamenti Evropian, pritet të zëvendësohet nga hungarezja Eszter Lakos.
Edhe grupi i Socialdemokratëve pritet të vijojë me të njëjtën drejtuese. Spanjollja Iratxe García Pérez është kandidatja e vetme dhe pritet të rizgjidhet pa kundërshtarë. Me këtë mandat, ajo do të bëhet drejtuesja me shërbimin më të gjatë në historinë e grupit.
Në të njëjtën situatë ndodhet edhe grupi liberal Renew Europe. Francezja Valérie Hayer, e lidhur me kampin politik të presidentit francez Emmanuel Macron, është kandidatja e vetme për drejtimin e grupit dhe pritet të zgjidhet me mbështetje të gjerë. Megjithatë, një kandidat tjetër mund të hyjë në garë në momentet e fundit, përpara votimit, duke e kthyer procesin në një zgjedhje me votim.
Pas rizgjedhjes, Weber, García Pérez dhe Hayer pritet të diskutojnë të ardhmen e bashkëpunimit mes tre grupeve, të cilat përbëjnë shumicën centriste në Parlamentin Evropian dhe mbështesin Ursula von der Leyen.
Kjo aleancë është përballur me tensione të përsëritura gjatë vitit të fundit. EPP-ja është mbështetur gjithnjë e më shumë te grupet e djathta për miratimin e disa vendimeve, duke bashkëpunuar me Konservatorët dhe Reformistët Evropianë (ECR), si dhe me grupet e ekstremit të djathtë, veçanërisht për çështjet e migracionit dhe klimës.
Këto zhvillime kanë vënë në pikëpyetje qëndrueshmërinë e bashkëpunimit mes forcave centriste, ndërsa drejtuesit e tyre përgatiten të përcaktojnë se si do të vijojë aleanca gjatë pjesës së mbetur të mandatit parlamentar./MXH
