Last Updated on 20/10/2026 by Anisa
Kryeministri Edi Rama ka komentuar protestat e dhunshme në Tiranë, duke i cilësuar ato si pjesë të një lufte hibride, që sipas tij synon të krijojë perceptimin se e gjithë Shqipëria është në kaos.
Rama deklaroi se rrëzimi i pushtetit përmes dhunës nuk do të ndodhë, ndërsa pretendoi se protestat po orkestrohen nga aktorë të huaj dhe se pakënaqësitë reale të qytetarëve po shfrytëzohen për të nxitur destabilizimin.
Kreu i qeverisë u ndal edhe te përplasjet mes protestuesve dhe policisë, duke deklaruar se numri i efektivëve të lënduar është më i lartë se ai i protestuesve.
“Rrëzimi i pushtetit me imponimin e dhunës nuk ka për të ndodhur asnjëherë, por rëndon në mënyrë dramatike në psikologjinë e shqiptarëve. Krijon idenë sikur po digjet e gjithë Shqipëria, por ky është një sulm që zhvillohet në një perimetër të caktuar, që orkestrohet nga duar të cilat janë të stërvitura për këtë punë, që ushqehet me bezninë si një zjarr i brendshëm nga aktorë të huaj. Kjo është kuptuar dhe po bëhet një çështje e madhe në të gjithë Europën.
Është një luftë hibride, e cila funksionon deri në këtë masë sepse bazohet në shqetësime reale, jo në fantazi. Janë reale shqetësimet për koston e jetesës, shqetësimet për strehimin, mundësitë për të pasur më shumë, etj. Një nga pikat te e cila insistohet është: ‘Policia po dhunon protestuesit’. Sot që flasim, ka shumë më tepër efektivë të lënduar sesa protestues. Janë gati 200 efektivë policie të lënduar që kanë shkuar dhe kanë marrë ndihmë në spital dhe jemi diku te 80 protestues të lënduar”, tha Rama. /ad
