Shumica e njerëzve sillen ndryshe në punë nga ç’janë në jetën private. Punonjësit më të zotë krijojnë zakone që i bëjnë të duken të organizuar dhe të përgjegjshëm, duke u dhënë eprorëve përshtypjen se e kanë jetën nën kontroll.
Këto zakone mund të të ndihmojnë të dallosh nga kolegët dhe të forcosh pozicionin tënd në punë. Përveç aftësive profesionale, rëndësi kanë edhe gjykimi i shëndoshë dhe aftësia për të kuptuar situatat dhe njerëzit.
1. Parashikon nevojat e shefit
Drejtuesit i vlerësojnë punonjësit që kuptojnë se çfarë duhet bërë pa pritur udhëzime të vazhdueshme. Të parashikosh nevojat e tyre, të marrësh iniciativa dhe të ndihmosh pa ua vënë në dukje gabimet në mënyrë të panevojshme mund të përmirësojë marrëdhënien me eprorin dhe reputacionin tënd në punë.
2. Ke një sistem të organizuar pune
Modelet e gatshme për dokumente, materialet e organizuara dhe mjetet që lehtësojnë planifikimin mund ta bëjnë punën më të thjeshtë për të gjithë. Kjo nuk do të thotë të marrësh përsipër detyra shtesë, por të gjesh mënyra për të përmirësuar organizimin dhe komunikimin me kolegët.
3. Përgatitesh çdo ditë për punë
Pamja e jashtme mund të ndikojë në mënyrën si perceptohemi në ambientin profesional. Kur ndihesh mirë me veten, ke më shumë vetëbesim dhe kjo mund të ndikojë edhe në mënyrën si eprorët vlerësojnë aftësitë e tua.
4. Mbërrin pak më herët
Mbërritja në kohë, madje edhe disa minuta përpara takimeve, mund të krijojë përshtypjen se je i përgjegjshëm dhe i përkushtuar. Edhe pse jo gjithmonë është e mundur, planifikimi i orarit me pak hapësirë shtesë ndihmon në shmangien e vonesave.
5. Paraqet problemet bashkë me zgjidhjet
Punonjësit e mirë i dallojnë problemet dhe i ngrenë ato në kohë. Ata që propozojnë edhe zgjidhje tregojnë iniciativë dhe nuk ia lënë të gjithë barrën shefit. Në vend që të thonë vetëm çfarë nuk shkon, shpjegojnë çfarë mund të bëhet për ta rregulluar situatën.
6. I gjen vetë përgjigjet
Të punosh në mënyrë të pavarur ndihmon në ndërtimin e besimit. Është normale të bësh gabime ose të kërkosh ndihmë, por pyetjet e vazhdueshme për gjëra që mund t’i zgjidhësh vetë mund të krijojnë bezdi te drejtuesit.
7. Kërkon mendim për punën tënde
Punonjësit që kërkojnë rregullisht mendime dhe sugjerime për përmirësimin e punës tregojnë se janë të gatshëm të mësojnë. Kjo nxit komunikimin e hapur dhe ndihmon që vlerësimet të mos perceptohen si kritika personale.
8. Ruan qetësinë nën presion
Aftësia për të menaxhuar emocionet është e rëndësishme në situata stresuese. Kur përballesh me vështirësitë pa reaguar në mënyrë të tepruar, u jep të tjerëve besimin se mund të përballosh përgjegjësitë dhe të ruash qetësinë edhe kur gjërat ndërlikohen./k.m
