Nga Preç ZOGAJ
Kushdo që mendonte se rendi liberal ishte dënuar të perëndonte, sapo ka marrë mesazhin e kundërt nga zgjedhjet e fundit të mesmandatit në SHBA. Opozita demokratike e cila korri një fitore të thellë, duke përmbysur balancat në dy dhomat e legjislativit: në Kongres dhe në Senat.
Në fakt, frika se rendi liberal po shuhej dhe një rend i ri autokratik-plutokratik po trokiste nuk ka qënë dhe nuk është hipotetike. Mjafton të shihje stilin qeverisës të presidentit Trump, adhurimin e tij publik ndaj sundimtarëve antidemokratikë, “dorashkat” ndaj aleatëve në Europë e Kanada, apo atë klub miliarderësh rreth tij që ngjante me një plutokraci të pastër. Shtoji kësaj nismat unilaterale të Bordit të Paqes ku kufijtë e interesit politik bëheshin fluidë përpara interesave ekonomike klanore.
Duhert të themi se ky rresik nuk ka qenë kurrë aq i madh sa e parashikonin “kasandrat” lloj-lloj. Shtetet e Bashkuara janë strukturuar në atë mënyrë që askush, sado i fuqishëmn të jetë, nuk mund ta zhbëjë dot të tërën, qoftë edhe me qëllimin më të keq. Institucionet e pavarura, një shoqëri civile e lindur nga liria dhe një shtet në udhëtim të gjatë përmirësimesh e bëjnë të pamundur tjetërsimin e sistemit. Pastaj vinë zgjedhjet e lira pa të cilat nuk ia vlen të jetohet, siç shprehej Izajak Berlin.
Do të ndodhte kjo që ndodhi. Edhe një herë u dëshmua se liberaldemokracia është rendi i natyrshëm i njerëzimit. Sistemet e tjera, të imponuara apo të pranuara në rrethana specifike, thjesht shkojnë dhe vijnë.
Fitorja e demokratëve vlerësohet historike jo vetëm për nga numrat, por sepse theu bastione ku republikanët dominonin prej dekadash. Rasti më i bujshëm është ai i Teksasit, ku kandidati demokrat për Senatin e SHBA-së, 37-vjeçari James Talarico e ngjeu shtetin me blu pas më shumë se tridhjetë vitesh. Një tjetër tërmet politik ndodhi në Kansas, ku pastori Adam Hamiltonm fitoi garën duke thyer një herë e mirë një rekord negativ prej 94 vitesh radhazi pa fitore demokratike.
Shumë analistë po e cilësojnë këtë proces si një referendum popullor për Presidentin Trump. Edhe pse zgjedhjet e mesmandatit tradicionalisht shërbejnë për të vendosur balanca mes legjislativit dhe ekzekutivit, ishte vetë Trump ai që i projektoi si të tilla. Ai i thirri republikanët në një betim butaforik e spektakolar “para Presidentit më të madh në histori”, duke kërkuar që votuesit të shpërfillnin emrat në fletë dhe të votonin sikur po votonin për të. Megjithatë, kjo thirrje funksionoi si thikë me dy presa. Ajo mobilizoi kundërshtarët, ndërsa shumë kandidatë republikanë arritën të fitonin vetëm falë personalitetit të tyre dhe peshës së Partisë Republikane.
Këto zgjedhje rezultuan sakaq një test i madh i dinjitetit njerëzor dhe i vetëdijes për fuqinë supreme të votës që e nuk mund të blihet as me mijëra e as me miliona dollarë, pavarësisht premtimeve të presidentit dhe supermiliarderëve rreth tij. Populli amerikan i injoroi këto joshje, duke dhënë një leksion që duhet të dëgjohet fort në demokracitë e reja si Shqipëria, ku shkelja e ndershmërisë në zgjedhje tenton të “normalizohet”.
Dihet tashmë se “cunami blu” në SHBA u ushqye nga problemet e përditshme: shtrenjtësia e jetesës, tarifat e larta, inflacioni, çmimet e karburanteve dhe kundërshtimi ndaj implikimeve në luftën me Iranin. Këto janë dukuritë që motivojnë tradicionalisht votuesin e lirë amerikan.
Në pamje të parë duket paradoksale: ndonëse ekonomia amerikane shënoi rritje gjatë këtyre 22 muajve të administrimit të Trumpit, pakënaqësia sociale përfshiu miliona njerëz. Kjo është ajo që mund ta quajmë “enigma amerikane”. Ekonomia rritet në sektorin e teknologjisë, inteligjencës artificiale dhe në fitimet e korporatave të mëdha, por ky pasurim nuk u përkthye në mirëqenie për shtresën e mesme dhe të ulët. Janë pikërisht këto shtresa që paguajnë faturën e rritjes zinxhir të çmimeve dhe efekteve të luftës.
Përmes votës, amerikanët reaguan ashpër kundër pabarazisë, korrupsionit qeveritar dhe asaj që ngjan me një plutokraci. Sondazhet e kryera para dhe gjatë procesit treguan se korrupsioni në qeverisje ishte shqetësimi kryesor. Mbi 70% e votuesve besonin se zyrtarët e zgjedhur mendojnë më shumë për pasurimin e tyre sesa për ekonominë. Pakënaqësia kulmoi me përfitimet financiare të familjes Trump përmes bizneseve private.
Sipas sondazhit të Reuters/Ipsos, 60% e amerikanëve e cilësuan të papërshtatshëm faktin që familja presidenciale përfitonte nga bizneset e kriptomonedhave, dhe po 60% e tyre besonin se interesat private të biznesit ndikonin direkt në vendimet e Shtëpisë së Bardhë.
Zgjedhësit amerikanë dhanë sërish një shembull botëror të përdorimit të votës si ndëshkim. Dhe ky duhet të jetë efekti më i madh i këtyre zgjedhjeve në Shqipëri.
Në vendin tonë, krimi dhe korrupsioni në sferat e larta dalin e teprojnë për ta bërë jetesën e gjysmës së popullsisë të pamundur, në kufijtë e varfërisë dhe përjashtimit shoqëror. As gjysma tjetër e mbetur nuk i ka punët mirë. Oligarkët dhe plutokracia e mbështetur nga qeveria vrasin konkurrencën dhe po asgjësojnë biznesin e mesëm. Ndërkohë, personalizimi ekstrem i pushtetit nga kryeministri Rama është një dukuri “trampiste” e tij, e shfaqur madje përpara vetë Trumpit.
Qeverisja propagandistike ecën me parimin puna diçka, propaganda gjithçka. Por ka një specifikë ku homologët shqiptarë ia kalojnë atyre amerikanë: te blerja e votës. Në SHBA paratë dhe përfitimet premtohen pas votimit, kurse në Shqipëri jepen paradhënie. Zgjedhësit shqiptarë duhet të marrin shembull nga ky reagim dhe të kuptojnë se vota nuk ka çmim.
Natyrisht, këto zgjedhje nuk do të ndryshojnë politikën e jashtme amerikane ndaj Shqipërisë, pasi SHBA-të janë një republikë presidenciale ku ekzekutivi ruan fuqinë e tij. Megjithatë, balancat e reja mes legjislativit dhe ekzekutivit do të ndihen kudo. Përmes hetimeve të mundshme të shumicës së re në Kongres, mund të zbardhen raste të konfliktit të interesit të zyrtarëve të lartë apo familjarëve të Trumpit në vendet mike- ku nuk përjashtohet as afera e Zvërnecit në Shqipëri. Nga ana tjetër, protestat rinore dhe partitë e reja në vend mund të gjejnë një mbështetje më domethënëse morale nga Kongresi dhe Senati i ri.
Mbi të gjitha, leksioni i madh që duhet të nxjerrim si shoqëri dhe si individë nga zgjedhjet ameriikane të mesmandatit është i thjeshtë: vota e lirë mbetet fuqia supreme e ndryshimit dhe ajo ndodhet vetëm në duart tona.
