Last Updated on 09/11/2026 by Anisa
Tre orë para se PS dhe PD të ulen në tryezë në Komisionin e Reformës Zgjedhore, mësohet se bashkëkryetari Oerd Bylykbashi u ka kërkuar anëtarëve të mazhorancës të ndryshojnë rendin e ditës.
Sipas gazetares Elda Menga, e cila ka zbardhur kërkesën e demokratëve, nga ana e demorkatëve është kërkuar heqja e pikës së rendit të ditës që lidhet me reflektimin e hartës së re territoriale në Kodin Zgjedhor.
Referuar kërkesës së demokratëve, mësohet se nga tani që raportojmë, socialistët kanë një orë kohë që të vendosin për ndryshimin e rendit të ditës.
“Në cilësinë e bashkëkryetarit dhe bazuar në kompetencën që më jep ky funksion, kërkoj heqjen e pikës 1 sipas njoftimit të datës 5 nëntor 2026 nga rendi i ditës për diskutim në mbledhjen e datës së sotme, 9 nëntor 2026.
Kërkoj zëvendësimin e saj me çështjen prioritare të rekomandimeve të ODIHR për “garantimin e fushës së barabartë të garës duke ndarë shtetin nga partia dhe ndalimin e abuzimit me pushtetin shtetëror në zgjedhje”. Kjo çështje është hapur për diskutim në Komision në muajt qershor-korrik dhe për të është organizuar nga Komisioni edhe një tryezë e madhe konsultimi me partnerë dhe ekspertë ndërkombëtarë dhe shoqërinë civile. Kjo çështje është prioritare për t’u përfunduar nga Komisioni para zgjedhjeve të 9 majit 2027.
Mandati i Komisionit mbaron më 30 nëntor dhe çdo devijim nga prioritetet e punës sonë pengon arritjen e objektivave të tij.
Për sa më sipër, kërkoj që deri në orën 11:00 të ditës së sotme, t’i komunikohet formalisht Komisionit nga sekretaria rendi i ditës i ndryshuar.”, theksohet në kërkesë./ad
