Last Updated on 09/11/2026 by Monika
NGA Jakin Marena
Në krye të herës duhet të pranojmë se Berisha dhe ata pak demokratë që kanë dalë në protestë në bulevardin “Dëshmorët e Kombit’ për të vijuar me ‘xhiron’ drejt ministrisë së Arsimit, po u hyjnë në ‘hak’ protestuesve të ‘miksuar’ qytetarë, studentë dhe minorenë të dhunshëm!
E themi këtë sepse ata janë në punën e tyre, kanë mbi gati 6 muaj që janë në shesh, tani e kanë kthyer dy herë në javë, po organizojnë siç e dinë vetë ata, protestën e tyre, me mjetet dhe sloganet e tyre ‘Rama në burg, Berisha në burg’ dhe nuk kanë asnjë detyrim që të pranojnë në radhët e tyre demonstruesit ‘profesionistë’ të PD! Janë në ‘qejfin’ e tyre me një fjalë, në raport me PD-në, jo me qytetarët e Tiranës, të cilëve ua nxinë jetën!
Pavarësisht se ‘revolucioni’ është katandisur copë copë, as 200 vetë gjithsej në bulevard, nga moshat 15 vjeç e deri në 70 vjeç, kjo për shkak ‘piramidës’ organizative së protestës me ‘organizim horizontal’, të cilën e kërkuan ata që e financuan dhe i udhëhoqën në prapaskenë këto tubime që prej shumë muajsh, kjo protestë studentore pa studentë brenda, është në punën e vet!
E thënë me fjalë më të thjeshta, Berisha nuk ka pse ua merr protestën atyre! Le të protestojë më vete, në një ditë tjetër. Do t’i shërbente madje më mirë dhe ‘kauzës’, pasi në vend që të ishin dy ditë të njëhsuara protestash mikse dhe me sherre mes tyre, të protestohej veç e veç dhe në ditë të ndryshme, për t’i ‘futur tmerrin Edi Ramës’ siç deklaron rëndom Berisha, në 4 ditë proteste!
Për më tepër që do të shmangeshin dhe ato shfaqjet banale të sherrosjes mes grupeve të protestës, akuzat mes tyre dhe skenave të dhunës, ku militantët e PD kapin me shpulla para kryeministrisë, por dhe para ministrisë së Arsimit, të gjithë ata protestues që thërrasin “Berisha në burg”! Duke treguar qartë se çfarë mund të bëjnë njerëzit e Berishës, nëse, larg qoftë, nesër ata janë në pushtet dhe kanë në dorë levat e shtetit që të ushtrojnë forcën për të mbajtur rendin e qetësinë në vend! I vrasin fare ata që janë kundër, sikurse bënë më 21 janar 2011!
Nga ana tjetër kjo tregon dhe diferencën mes Ramës dhe Berishës, ku kryeministri socialist jo vetëm që nuk i kanë lënë gjë pa thënë, me libër shpie me një fjalë, duke filluar nga këta çerrat e vegjël të politikës e deri te këto vemjet e OJF-ve e më gjërë, madje dhe duke e kërcënuar me zë e figurë nëpër panelet televizive dhe rrjetet sociale se do ta tërheqin zvarrë, nuk ka reaguar as verbalisht për këtë. Thirrja ka qënë vetëm për mbrojtjen dhe sigurinë e institucioneve, biznesit dhe mbi të gjitha efektivëve të policisë por edhe e njerëzve që kanë dalë në protestë. Dhe organet ligjzbatuese nuk kanë dalë përtej reagimit proporcional në protestë, pavarësisht se policia është sulmuar me gurë, molotov e lëndë piroteknike nga ‘maskat’! U janë thyer dhe kafkat policëve!
Dhe ajo që nuk kuptojmë është se çfarë i duhen Berishës ata më pak se 200 vetë të protestës “studentore’, për t’i bërë bashkë me të tijtë, të dy bashkë 400 vetë gjithsej në shesh, e për të dhënë ato skenat aspak dinjitoze për një opozitë që, teksa bën thirrje ditë pas dite për bashkëpunim dhe bashkim forcash kundër Ramës dhe PS, në realitet po ushtrojnë dhunë ndaj njëri tjetrit në bulevard! E dimë këtë fiksimin e Berishës për të mbajtur monopolin e sheshit dhe të protestës në Shqipëri, por për hir të së vërtetës, më shumë po e dëmtojnë opozitën këto sherret mes grupimeve në ditët e protestës se sa prania e atyre tubuesve që s’janë me PD në shesh dhe që thërrasin ‘Berisha në burg’! Gjithsesi Berisha e kërkon të ‘pastër’ sheshin, vetëm me të tijtë!
Dhe për të qënë korrektë, duhet të pranojmë që dhe këto kërkesat ultimative të protestuesve, ‘në emër të popullit’, për largimin e Ramës dhe Berishës apriori, kështu me ‘urdhër të peshkut’, nuk janë aspak normale për një protestë që u ngrit ‘kundër arrogancës së kësaj qeverie dhe të klasës politike aktuale’, siç pretendon. Madje shkojnë deri në banalitet! Aq më tepër që këto kërkesat ‘Rama në burg e Berisha në burg’, janë përtej fuqisë së tyre, pasi ka marrë fund me kohë e me vakt ai momenti kur ‘partia’ e ‘populli’ të fuste në burg! Por meqë jemi në kushtet e arsyetimit të atyre që qëndrojnë në prapaskenë se është thjeshtë një simbolikë, por dhe faktit se Ramës as që i lëviz ndonjë muskul kur dëgjon gjëra të tilla, veç Berishës që irritohet dhe urdhëron rrahjen e atyre që i përmendin burgun, po ‘pajtohemi’ me këtë arsyetim, sado banal dhe pa bazë që është!
Meqë jemi te opozita, askush nuk ka të drejtë të thotë, aq më tepër të japë ultimatum, që opozita duhet të shkrihet e të bashkohet me ta, për të rrëzuar Ramën, dhe të mos u sillet nëpër këmbë! Sidomos në këtë gjendje kur është katandisur protesta, me më pak se 200 vetë në shesh në ditën më të mirë, pas akteve të dhunës nuk dihet nëse përkthehen në vota deri në 1000 votues pro, nuk mund t’i thotë një opozite që në zgjedhjet e fundit ka marrë plot 500 mijë vota, dita më e keqe e tyre në zgjedhjet e vitit të kaluar, ‘ik zhduku nga qarkullimi, pasi po vijnë ne në vendin tuaj si opozitë, për të përmbysur Ramën’! Aq më tepër t’i thonë ‘ik’ edhe Ramës që ka 85 mandate, në parlamentin me 140 deputetë dhe pa asnjë shenjë në horizont për ndonjë ‘frakturë’ në PS!
Largimin nga politika të Berishës dhe tërë opozitës e kërkon ‘sheshi’, sipas tyre! Pra këtë imponim e kërkojnë ata 200 vetat që marrin pjesë në tubime, qoftë dhe të dhunshme, pasi protesta, me zgjedhjen e saj, e humbi shansin për t’u organizuar dhe me një çikë ‘vertikale’ përpos ‘horizontales’, ngjashëm me lëvizjen e studentëve në Serbi që thithi mbështetje me protesta paqësore në të gjithë vendin, dhe nxori natyrshëm jashtë loje opozitën e vjetër, duke mundur njëherësh dhe ‘padronin’ e politikës në Beograd, Aleksandër Vuçiç!
Ia kërkojnë më shumë dhe këta vemjet që kanë bllokuar panelet televizive, të cilëve nuk u ka thënë askush puna e mbarë dhe që tërë jetën i kanë marrë paratë qyl, thjeshtë e vetëm duke nxirë Shqipërinë, e cila sipas po këtyre vemjeve, në raporte del sikur vendi është akoma para vitit 2000 dhe ka nevojë për mbikqyerje, këshillime, ‘rakia del nga rrushi, e rrushi bëhet nga hardhia’ e gjëra të tjera të këtij lloji! Pra, ështëë pikërish ky kontigjent, i vetmi që ‘ushqehet’ me nxirjen e Shqipërisë me negativitet, që kërkon në mënyrë ultimative, ‘të ikë Berisha nga politika, të shkrihet PD me protestën’. Duket për të rritur numrat e partive të vogla të Gones, Lapajt e Qorit!
Nuk po marrim në mbrojtje Berishën, aspak! Madje, më se njëherë e kemi artikuluar faktin se Berrisha duhej ta kishte mbyllur me tamam karrierën politike që më 2013 dhe te shkruante kujtimet, apo të gëzonte nipërit dhe mbesat si pensionist me kohë të plotë! Por meqë u rikthye në krye të PD, duke dëbuar Bashën, e themi sërish se për të mirën e PD ai duhet të hapë krahun. Por ama Berisha është zgjedhur me votë! Madje dhe kur ishte jashtë PD-së zyrtare, në ballafaqimet elektorale, e kaloi PD-në e drejtuar nga Basha në parti të tretë dhe me vetëm gjysmën e votave të “Rithemelimit’ të tij! Më vonë, me vendim gjykate, Berisha mori edhe vulën e logon e PD si dhe tërë drejtimin e opozitës! Në këto kushte, hapja e krahut dhe largimi nga drejtimi i PD, është thjeshtë një vullnet i tij!
Berisha e ka përcaktuar tashmë kohën limit kur do të largohet nga drejtimi i partisë më të madhe opozitare! E deklaroi para disa ditësh, teksa publikisht tha se kjo do të ndodhë vetëm nëse do të ndiejë se nuk ka më mundësi fizike ose mendore për të përmbushur detyrat. “Momentin që unë të ndjej pamundësinë më të vogël fizike në detyrimet e mia fizike ose mendore, absolutisht, me lehtësi dhe pa vështirësi do të them ‘Goodbye’. E kam lidhur këtë, por në kohën kur unë ndiej të njëjtën performancë e me një eksperiencë shumë të çmuar, unë nga beteja nuk largohem”, po citojmë fjalë për fjalë dhe korrektësisht kreun demokrat, Berisha.
Pra, Berisha premton dhe garanton se do të largohet kur ta ndjejë se e ka lënë mendja! Punë e tij kjo! Por ama ha diskutim kjo deklaratë e Berishës, e cila u ka ‘fikur’ shpresat jo vetëm pretendentëve për të marrë postin e tij pas largimit, por dhe atyre përfaqësuesve të protestës, që ndoshta kanë ndonjë shpresë të vagullt se lideri historik demokrat mund të largohet vetë!
Dhe kur themi ha diskutim kjo garanci e Berishës, kemi parasysh se askush nuk e pranon se e ka lënë mendja apo larg qoftë është çmendur! Madje dhe në spitalin psiqiatrik, të sëmurët kronikë që rrinë me vite atje, thonë se mjekët dhe të gjithë ata që u shërbëjnë, bashkë me familjarët që i kanë dërguar aty në çmendinë për t’i pasur nën kontroll dhe kujdes shëndetësor, janë të çmendur! Veten e quajnë ‘majën’ e stabilitetit mendor apo dhe të freskisë së mendjes!
Kjo deklarata e Berishës, 82 vjeçar aktualisht në krye të PD, na kujton atë barcaletën e hershme, kur dy të moshuar u takuan dhe shkëmbyen kutitë e duhanit me njëri tjetrin, duke e ndezur dhe tymosur për qejfin e tyre. e duke bërë ndonjë dorë muhabet! Secili tregonte se si po i kalonte ditët e pleqërisë. Njëri u ankua se përpos emrave që kishte kohë që i kishte bërë ‘def’ dhe nuk mbante mend as të robve të shtëpisë, duke i ngatërruar në të gjitha herët, por nuk mbante mend as ku linte gjërat, as momentin e pirjen e ilaçeve apo nëse e kishte mbyllur derën apo jo!
Ndërkohë që i moshuari tjetër mohoi të ishte ‘lehtësuar’ nga mendtë, duke shprehur keqardhjen për bashkëmoshatarin e tij! Por ama po kërkonte nëpër xhepa çibukun (llullën) për ta mbushur me duhan, duke thënë se s’po e gjente dot, e ndoshta mund ta kishte harruar në shtëpi! “E ke në gojë’ i tha i moshuari që ankohej për lënien e mendjes! ‘Se dhe unë s’jam çmendur ore zotni, por këto gjëra harroj. Po ti qënke më rëndë’, përfundon barcaleta e hershme por me spec shqiptare!
Edhe Berisha është në pleqërinë e thellë dhe i ndodhin këto gjërat e moshës, megjithëse ai nuk mungon kurrë të na garantojë se është ‘terribël’ nga mendja dhe se për vitet janë numra, por dhe një eksperiencë e çmuar në punën e tij, në drejtimin e PD dhe të opozitës!
Anipse Berisha ngatërron herë herë emrat dhe bën gafa proverbiale, të cilat kanë kapur ‘majën’ e renditjes në listën e ‘meme’-ve më të klikuara në rrjetet sociale! I thotë Belind Këlliçit, herë Belind Kërçiçi, herë Belind Kërriçi e tashmë së fundmi Belind Balluku, Arbër Hajdarit i vë emrin e dhëndrit të tij, kur thotë pa iu dridhur syri ‘Jamarbër Hajdari’, ngatërron rrugën e Arbërit me rrugën e Kombit. Madje u ‘dërgon përshëndetjet më të papërzemërta’, qytetarëve në takimin elektoral në Burrel, ngatërron datën e zgjedhjeve teksa në Pukë, u kërkon grave dhe vajzave që të ndëshkojnë me votë Edi Ramën më 12 maj, ngatërron kilometrat me miliona eurot apo zotohet që ta ‘PD do ta bëjë ditën natë’ për të ardhur në pushtet. Por dhe premton se ‘PD do të paraqesë një rezolutë në Kuvend që denoncon genocidin serb të Lumës më 2013’, harron emrat e kandidatëve të PD thuajse në të gjithë vendin dhe gafa të tjera të këtij lloji!
Mosha bën të veten! Këto janë simptomat për të gjithë njerëzit e kësaj moshe dhe nuk është turp për këtë. Evidentojmë këtu dhe faktin se qëndrimet e fjalët e veta gjithkujt në planet i duken më të mënçurat, më të panjollat e më të fuqishmet në botë! Edhe zëri i vet i duket më melodiozi, si dhe gafat, harresat apo problemet e tjera të këtij lloji, një natyrshmëri! Pavarësisht se për një politikan të nivelit të lartë, aq më tepër të pretendentit hipotetik për kryeministër siç është 82 vjeçari Berisha, këto harresa, gafa dhe përhumbje kanë kosto tepër të lartë politike për partinë që drejton! Deri në pamundësi për të pretenduar sa të jetë ai në krye të opozitës, ardhjen në pushtet!
E thënë me fjalë të thjeshta, Berisha, si gjithkush tjetër në botë në moshën e tij, asnjëherë nuk e kupton se kur nuk është në rregull mendërisht! Fizikisht po, se mund të zërë krevatin! Dhe mbi të gjitha duke qënë dhe një lider tepër i rreptë e pedant në raport me vartësit apo me ata që ka më afër, jo vetëm që nuk pranon se ka probleme mendore, të moshës themi, por preblemi më i madh është se nuk ka askush guximin që t’ia thotë këtë! Prandaj besohet se Berisha, pas deklaratës së tij, do të qëndrojë në krye të PD dhe të opozitës derisa të harrojë dhe emrin e Flamur Nokës apo të Lirisë! Se të Belind Këlliçit e ka harruar me kohë dhe vakt, e ka ‘postuar’ herë tek fisi Kërriçi, herë tek fisi Kërçiçi dhe tani së fundmi tek fisi Balluku!
Prandaj ka probleme kjo garancia publike e Berishës dhe premtimi se do të ikë nga PD kur të kuptojë vetë se e ka lënë mendja! Asnjëherë s’do ta kuptojë ai këtë, kush thotë për veten se e ka lënë mendja! Të tjerët s’kanë guxim t’ia thonë jo e jo. Dhe kështu do të vijojë për vite me radhë, derisa të shkojë në amshim bashkë me PD! Deri atëherë, do të kemi ‘tundje beli’ dhe kërcimin e Gaz Bardhit dhe të tjerëve nën ritmin e këngës “Rruga pisha, rroftë e qoftë Sali Berisha”! E bëjnë çdo prag zgjedhjesh këtë kërcim kolektiv ‘epik’, sidomos në komentet kruciale kur përzgjidhet lista e sigurtë e kandidatëve për deputetë! E duan atë të shkretë mandat deputeti ata!
