Një koment në Instagram mund të jetë pikënisja e një projekti të ri muzikor për Taynën. Këngëtarja shqiptare është vënë në qendër të vëmendjes pas një shkëmbimi komentesh me DJ-in dhe producentin ndërkombëtar HVMZA.
Gjithçka nisi kur një ndjekës i artistit i sugjeroi atij që gjatë qëndrimit në Tiranë të mos largohej pa realizuar një këngë me Taynën.
Pyetjes së ndjekësit, HVMZA iu përgjigj në një mënyrë që ka nxitur menjëherë kuriozitetin. “Duhet ta bëjmë”, shkroi ai, duke etiketuar edhe vetë këngëtaren shqiptare.
Ky reagim u interpretua si një sinjal pozitiv për një bashkëpunim të mundshëm mes dy artistëve, ndonëse asnjëri prej tyre nuk ka dhënë ende një njoftim zyrtar për një projekt të përbashkët.
HVMZA është një emër i njohur në skenën ndërkombëtare të muzikës elektronike, veçanërisht në rrymën Afro House. Një bashkim artistik me Taynën do të ishte një eksperiencë e re muzikore për këngëtaren dhe një kombinim që me siguri do të ngjallte interes te publiku.
Tashmë mbetet për t’u parë nëse ky propozim i bërë publik në Instagram do të kthehet në një bashkëpunim konkret./mxh
