Last Updated on 09/11/2026 by Monika
Drejtoria për Hetimin e Krimit Kibernetik në Policinë e Shtetit ka evidentuar fushata të reja mashtrimi përmes mesazheve SMS (smishing), të cilat po u dërgohen qytetarëve duke përdorur në mënyrë të rreme emërtimet e institucioneve dhe shërbimeve publike shqiptare.
Këto fushata vijnë në vijim të rasteve të evidentuara më parë, ku autorët, duke u prezantuar në mënyrë të rreme si institucione bankare, kanë tentuar të mashtrojnë qytetarët përmes faqeve të falsifikuara të internetit, me qëllim përvetësimin e të dhënave të tyre personale dhe bankare.
Nga monitorimi i fundit janë evidentuar mesazhe që paraqiten në emër të:
DPSHTRR-së, duke njoftuar për shkelje të qarkullimit rrugor dhe gjoba të papaguara;
Postës Shqiptare, duke pretenduar se qytetarët duhet të përditësojnë adresën për të mundësuar dorëzimin e pakove postare.
Në këto raste, mesazhet përmbajnë lidhje elektronike (linke), të cilat i orientojnë qytetarët drejt faqeve të falsifikuara të internetit, që imitojnë faqet zyrtare të institucioneve përkatëse.
Qëllimi i këtyre fushatave është mashtrimi i qytetarëve për të siguruar të dhënat e tyre personale dhe bankare, përfshirë numrin e kartës bankare, datën e skadencës, kodin e sigurisë (CVV/CVC) dhe kodet e verifikimit, të cilat mund të përdoren për kryerjen e transaksioneve të paautorizuara dhe përvetësimin e parave nga llogaritë bankare.
Autorët përdorin njoftime për detyrime të papaguara, afate të shkurtra kohore apo probleme me dërgesat postare, duke krijuar ndjesinë e urgjencës për t’i nxitur qytetarët të veprojnë pa verifikuar vërtetësinë e mesazheve.
Policia e Shtetit u bën thirrje qytetarëve:
Mos klikoni në lidhje të dyshimta të dërguara përmes SMS-ve, pavarësisht institucionit në emër të të cilit paraqiten.
Mos vendosni të dhënat e kartave bankare, kodet CVV/CVC apo kodet e verifikimit në faqe të hapura përmes këtyre mesazheve.
Verifikoni çdo njoftim për pagesa gjoba./Mxh
