Last Updated on 13/11/2026 by Anisa
Partia Socialiste do të mbledhë nesër Asamblenë Kombëtare në Gjirin e Lalzit, në një moment të ndjeshëm politik për mazhorancën. Dy protestat e zhvilluara në Tiranë, ajo e njohur si “Flamingo” dhe protesta studentore, e cila u përshkallëzua gjatë muajit tetor, pritet të jenë ndër çështjet që do të vënë në provë mesazhet politike të kryeministrit Edi Rama përpara strukturave të partisë.
Mbledhja do të nisë në orën 10:00 dhe vëmendja kryesore do të përqendrohet te fjala e Ramës, e cila do të jetë publike. Pritet të shihet nëse kryeministri do të japë një përgjigje për klimën e tensionuar politike, protestat kundër qeverisë dhe zhvillimet e fundit brenda Partisë Socialiste.
Asambleja e fundit është mbajtur më 21 mars të këtij viti, po në Gjirin e Lalzit, ku u njoftuan edhe ndryshime në drejtuesit politikë. Këtë herë, megjithatë, takimi zhvillohet në rrethana të ndryshme, me vëmendjen të përqendruar jo vetëm te kundërshtimi në rrugë, por edhe te përplasjet mes Edi Ramës dhe kryebashkiakut të Tiranës, Erion Veliaj, i cili ndodhet në paraburgimin e Fierit.
Një tjetër element që ka tërhequr vëmendjen është mungesa e një rendi dite të shpërndarë paraprakisht. Sipas gazetares Eksiola Shehu, anëtarët e Asamblesë janë njoftuar për mbledhjen dy ditë më parë përmes grupeve në WhatsApp, por ndryshe nga herët e tjera, nuk u është bërë me dije se cilat do të jenë çështjet konkrete të diskutimit.
Në këtë situatë, një nga pikëpyetjet lidhet me kërkesën e Erion Veliajt për të marrë pjesë në mbledhje, fizikisht ose përmes një platforme online, me qëllim që të mbajë një fjalë përpara anëtarëve të Asamblesë. Mbetet për t’u parë nëse kjo kërkesë do të marrë përgjigje dhe në çfarë forme.
Në diskutimet e socialistëve mund të rikthehet edhe mocioni i deputetes Elisa Spiropali, i paraqitur në muajin korrik, për hapjen e debatit brenda partisë mbi marrëveshjen për “Shqipërinë e re”, siç e ka cilësuar vetë ajo.
Pjesa e parë e mbledhjes do t’i kushtohet fjalës së kryeministrit, ndërsa mesazhet e tij do të bëhen publike.
Përtej këtij momenti, mbetet për t’u parë se cilat çështje do të marrin hapësirë në diskutimet e brendshme dhe nëse Asambleja do të shërbejë si një forum për adresimin e pakënaqësive dhe përplasjeve brenda PS-së, apo kryesisht si një takim për të përcaktuar linjën politike të mazhorancës në këtë fazë.
Protestat, raporti me Erion Veliajn dhe kërkesat për debat brenda partisë e bëjnë këtë mbledhje një moment të rëndësishëm për drejtimin politik të socialistëve dhe mesazhet që Rama do të zgjedhë t’u përcjellë strukturave të tij./ad
