Nga Leonard Veizi
Kur armët heshtin, zëri i njerëzve dëgjohet më fort se shpërthimet. Dhe nuk është zëri i gjeneralit që jep urdhra pasi ka vizatuar strategjinë e radhës në hartë, as i politikanit që premton fitore nga zyra me ajër të kondicionuar. Është zëri i qytetarëve që nuk duan t’i shohin më fëmijët e tyre të nisen në front për të mos u kthyer kurrë, ose për t’u kthyer në arkivole të mbështjella me flamur…
…Një prej këtyre çasteve ndodhi më 15 nëntor 1969, në Uashington. Rreth gjysmë milioni njerëz mbushën rrugët dhe sheshet e kryeqytetit amerikan për të kërkuar përfundimin e ndërhyrjes në Vietnam. Ishte një nga demonstratat më të mëdha kundër luftës në historinë e Shteteve të Bashkuara. Përballë Shtëpisë së Bardhë, turma nuk kërkonte territore dhe nuk brohoriste për fitore. Kërkonte diçka shumë më të thjeshtë, por që politika e luftës e kishte bërë të dukej e paarritshme: të ndalej vrasja e njerëzve.
Lufta që po humbiste edhe në shtëpi
Për të kuptuar protestën e Uashingtonit, duhet kthyer vështrimi te Vietnami, i kthyer në një nga fushëbetejat më të përgjakshme të Luftës së Ftohtë. Pas largimit të francezëve, më 1954, vendi u nda në dy pjesë: Veriu komunist, nën drejtimin e Ho Shi Minhit, dhe Jugu, i mbështetur nga Shtetet e Bashkuara.
Uashingtoni e shihte përhapjen e komunizmit si kërcënim strategjik. Pas incidentit në Gjirin e Tonkinit, më 1964, presidenti Lindon Xhonson mori mbështetjen politike për zgjerimin e ndërhyrjes. Një vit më vonë nisën bombardimet intensive dhe dërgimi i trupave të rregullta amerikane. Në vitin 1969, prania ushtarake amerikane në Vietnam kishte arritur përmasa gjigante.
Por epërsia teknologjike nuk po prodhonte fitoren e premtuar. Përballë një kundërshtari që njihte terrenin dhe përdorte luftën guerile, ushtria amerikane po përfshihej në një konflikt pa fund të dukshëm. Humbjet, bombardimet dhe mungesa e një zgjidhjeje po e kthenin luftën në një barrë politike, ekonomike dhe morale.
Edhe në Amerikë, pakënaqësia po rritej. Studentë, intelektualë, artistë, gazetarë, veteranë dhe familjarë të ushtarëve të vrarë kërkonin përfundimin e konfliktit. Lëvizja kundër luftës kishte dalë nga universitetet dhe ishte shndërruar në një protestë të gjerë qytetare.
Marshimi kundër vdekjes
Më 13 dhe 14 nëntor, përpara demonstratës së madhe, Uashingtoni përjetoi një nga aktet më simbolike të protestës amerikane: March Against Death, Marshimi kundër vdekjes.
Rreth 40–50 mijë pjesëmarrës marshuan në rresht të vetëm, duke mbajtur pankarta me emrat e ushtarëve amerikanë të vrarë në Vietnam. Marshimi zgjati rreth 36 orë dhe kaloi përpara Shtëpisë së Bardhë, në drejtim të Kapitolit.
Kur emrat shqiptoheshin me zë, secili prej tyre rikthente një jetë të ndërprerë, një familje të mbetur në pritje, një shtëpi ku dikush nuk do të trokiste më. Në fund, pankartat u vendosën në arkivole simbolike.
Nuk ishte thjesht një ceremoni përkujtimore. Ishte një aktakuzë publike ndaj një lufte që vazhdonte të prodhonte viktima. Pas çdo shifre statistikore fshihej një njeri. Dhe pas çdo njeriu, një histori që nuk mund të zëvendësohej.
Gjysmë milioni zëra për paqen
Më 15 nëntor, protesta arriti kulmin. Rreth gjysmë milioni njerëz u mblodhën në Uashington, në një prej tubimeve më të mëdha kundër luftës të zhvilluara ndonjëherë në SHBA. Manifestimi u organizua nga New Mobilization Committee to End the War in Vietnam, në bashkëpunim me Vietnam Moratorium Committee.
Në turmë kishte të rinj që kundërshtonin rekrutimin, prindër që kishin humbur djemtë, veteranë që e njihnin nga afër fytyrën e luftës dhe qytetarë që nuk pranonin më justifikimet zyrtare. Aty ishte edhe këngëtari dhe aktivisti Pit Siger, i cili udhëhoqi protestuesit në këngë kundër luftës.
Nuk ishte vetëm një protestë kundër presidentit Riçard Nikson. Ishte shprehje e një krize të thellë besimi ndaj politikës së jashtme amerikane. Nikson nuk e ndryshoi qëndrimin e tij për shkak të demonstratës, duke këmbëngulur se tërheqja duhej të bëhej sipas strategjisë së administratës së tij.
Megjithëse gjatë ditëve të protestës pati edhe incidente me policinë, demonstrata e madhe e 15 nëntorit mbeti kryesisht paqësore. Mesazhi i saj ishte më i fortë se çdo përplasje: qytetarët nuk dëshironin më të paguanin me jetë për një luftë që nuk shihnin se ku po i çonte.
Çmimi i një lufte të gjatë
Lufta e Vietnamit la pas një bilanc tragjik. Sipas Arkivit Kombëtar amerikan, 58.220 ushtarakë amerikanë humbën jetën dhe më shumë se 153 mijë u plagosën. Por këto shifra përfaqësojnë vetëm një pjesë të tragjedisë. Humbjet vietnameze ishin shumë më të mëdha, me miliona të vrarë, ushtarakë dhe civilë, sipas vlerësimeve historike.
Qytete e fshatra u shkatërruan, familje u zhvendosën dhe mjedisi u dëmtua nga bombardimet dhe përdorimi i lëndëve kimike, mes tyre Agjenti Portokalli, pasojat e të cilit u ndien për breza.
Lufta nuk la vetëm varre. La trauma, plagë fizike dhe shoqëri të copëtuara. Një nënë vietnameze që humbte djalin nuk vuante më pak se një nënë amerikane. Dhimbja nuk njeh kufij gjeografikë dhe as uniforma ushtarake. Presioni i opinionit publik dhe kostoja e konfliktit e detyruan administratën Nikson të ndryshonte strategjinë. Përmes politikës së quajtur Vietnamizimi i luftës, përgjegjësia e luftimeve iu kalua gradualisht forcave të Vietnamit të Jugut.
Më 27 janar 1973 u nënshkruan Marrëveshjet e Paqes së Parisit dhe më 29 mars të po atij viti u larguan trupat e fundit amerikane. Megjithatë, lufta vazhdoi për vietnamezët deri më 30 prill 1975, kur forcat e Veriut hynë në Saigon dhe i dhanë fund Vietnamit të Jugut.
Në vitin 1982, në Uashington u përurua Memoriali i Veteranëve të Vietnamit, një mur i zi graniti ku janë gdhendur emrat e më shumë se 58 mijë ushtarakëve amerikanë të rënë. Një monument i heshtur, që kujton se pas çdo lufte mbeten njerëz që nuk mund të kthehen më.
Një qëndrim kundër luftës
Historia e 15 nëntorit 1969 nuk duhet kujtuar thjesht si një episod i lëvizjes studentore amerikane. Ajo dëshmon se lufta nuk është vetëm një vendim që merret në zyrat e pushtetit dhe zbatohet në fushëbetejë. Pasojat e saj shtrihen në çdo familje, në çdo qytet dhe në çdo brez. Politikanët mund të flasin për interesa kombëtare, siguri dhe ekuilibra forcash, por asnjë formulim nuk e kthen në jetë një njeri të vrarë. Lufta shpesh nis me fjalë të mëdha: dinjitet, mbrojtje, atdhe, fitore. Por fundi i saj shkruhet me emra njerëzish që nuk do të kthehen më në shtëpi. Asnjë fitore ushtarake nuk është e plotë kur çmimi i saj është shkatërrimi i jetëve njerëzore. Asnjë flamur nuk bëhet më i lavdishëm duke u ngritur mbi rrënojat e shtëpive të djegura. Dhe asnjë udhëheqës nuk mund ta quajë veten fitimtar kur breza të tërë duhet të jetojnë me pasojat e vendimeve të tij.
Më 15 nëntor 1969, gjysmë milioni amerikanë dolën në rrugët e kryeqytetit për të thënë se nuk donin më luftë. Nuk komandonin ushtritë dhe nuk nënshkruanin marrëveshje, por kishin zërin e tyre. Dhe ai zë u bë një kujtesë se pushteti nuk mund të ketë gjithmonë fjalën e fundit. Sepse paqja nuk është dobësi. Është zgjedhja më e vështirë dhe më njerëzore që mund të bëjë një shoqëri.
