Last Updated on 20/11/2026 by Anisa
Rinovimi i Partisë Demokratike dhe mungesa e figurave të reja në strukturat drejtuese të saj kanë rikthyer në vëmendje debatin mbi të ardhmen politike të opozitës. A është PD-ja një parti që po përgatitet për një brez të ri drejtuesish apo një forcë politike që vijon të mbetet e lidhur me të njëjtin identitet dhe të njëjtën figurë?
Kjo çështje u diskutua në emisionin “Të Paekspozuarit” në Vizion Plus, ku analisti Andi Bushati kritikoi mungesën e ideve të reja dhe plakjen politike të PD-së, ndërsa analisti Dritan Hila solli një tjetër këndvështrim, duke argumentuar se në këtë parti vendimmarrja dhe pesha politike janë të përqendruara te Sali Berisha dhe Flamur Noka.
Bushati u shpreh se rinovimi nuk mund të jetë thjesht një ndryshim emrash në lista, por duhet të shoqërohet me ide dhe identitet të ri politik. Sipas tij, PD-ja ka përvetësuar moshën dhe identitetin e liderit të saj historik, duke humbur hapësirën për një profil të ri.
“Të flitet për rinovim, duhen ide të reja. Për rinovim, po të shohësh grupin e Zegjinesë, gjysmën e tyre nuk i njohim, janë të rinjë. Unë shoh një plakje të PD-së. Dua ide të reja. Partia ka marrë moshën e Saliut. Ka marrë identitetin e doktorit”, deklaroi Bushati.
Nga ana tjetër, Dritan Hila e zhvendosi diskutimin te mënyra se si funksionon pushteti brenda PD-së. Ai deklaroi se Berisha ka larguar edhe figura me peshë politike kur kanë dalë kundër tij, duke përmendur rastin e Ervin Salianjit si shembull të kësaj praktike.
Sipas Hilës, në hierarkinë e sotme të demokratëve vetëm dy persona kanë peshë reale politike: Sali Berisha dhe Flamur Noka, ndërsa pjesa tjetër e strukturave mbetet lehtësisht e zëvendësueshme.
“Berisha ia ka dalë të largojë figura me më peshë e më të rënda kur s’kanë qenë në një mendje me Berishën. Ne e pamë me Salianjin sa kollaj e pati Berisha ta hiqte nga jeta politike. Jo më të rinjtë që s’kanë karrierë politike. Dy figura ka PD-ja, Berishën dhe numrin 2, Flamur Nokën, që ka besimin e Berishës dhe zbaton politikat e tij. Gjithë të tjerët pastaj janë të zëvendësueshëm. Shoqërisë shqiptare i shkojnë për shtat këto parti”, u shpreh Hila.
Dy qëndrimet e analistëve nxorën në pah dy nga sfidat kryesore të Partisë Demokratike: mungesën e ideve dhe figurave të reja, si dhe përqendrimin e autoritetit politik në një rreth të ngushtë drejtuesish. Një debat që rikthen pikëpyetjen nëse PD-ja mund të rinovohet pa ndryshuar modelin e saj të drejtimit./ad
