
Nga Leonard Veizi
Më 2 shkurt 2026 u mbushën 83 vjet nga përfundimi i Betejës së Stalingradit. Një betejë që shënoi kthesën strategjike të Luftës së Dytë Botërore dhe që, për Gjermaninë, mbeti një nga humbjet më të rënda ushtarake të historisë së saj.
Por, 83 vjet më vonë, Evropa po përballet me një paradoks që historia e ka njohur edhe më parë. Gjermania po riarmatoset, po rrit buxhetin e mbrojtjes, po modernizon Bundesverin dhe ka shpallur ambicien për ta shndërruar atë në ushtrinë konvencionale më të fuqishme të kontinentit.
Kancelari Fridrih Mertsi e ka thënë hapur këtë në Bundestag. Nuk bëhet fjalë më për një ushtri të kufizuar në rolin e saj tradicional të pasluftës, por për një fuqi ushtarake që synon të marrë përgjegjësi shumë më të mëdha në NATO dhe në sigurinë evropiane.
Këtu lind paradoksi historik: Evropa ka frikë nga Rusia, por njëkohësisht duhet të mendojë edhe për ekuilibrat e fuqisë brenda vetë kontinentit. Jo sepse Berlini po përgatit një luftë të re, as sepse Gjermania demokratike mund të barazohet me Rajhun e Tretë. Por sepse historia ka treguar se përqendrimi i madh i fuqisë ekonomike, industriale dhe ushtarake në një shtet të vetëm mund të ndryshojë rrënjësisht raportet mes vendeve evropiane.
Gjermania e ka dëshmuar dy herë në shekullin XX se sa shpejt mund të shndërrojë kapacitetin industrial në fuqi ushtarake. Dhe ky kujtim nuk mund të fshihet thjesht duke ndërruar flamurin mbi ndërtesat shtetërore.
Stalingradi dhe dobësia e krahëve
Fati i Betejës së Stalingradit nuk u vendos vetëm në rrugët, fabrikat dhe ndërtesat e shkatërruara të qytetit. Ndërsa Ushtria e 6-të gjermane ishte zhytur në një luftë rraskapitëse urbane, krahët e saj veriorë dhe jugorë mbroheshin kryesisht nga ushtritë rumune, italiane dhe hungareze. Ato ishin më të dobëta në armatim, kishin mungesë mjetesh të blinduara dhe nuk dispononin kapacitetin e nevojshëm për të përballuar një ofensivë të madhe sovjetike.
Komanda gjermane kishte vendosur mbi këto ushtri një barrë që nuk përputhej me fuqinë e tyre reale. Kjo dobësi do të bëhej fatale.
Më 19 nëntor 1942, Ushtria e Kuqe nisi Operacionin Uranus. Goditja kryesore ra mbi Ushtrinë e 3-të rumune në veri, ndërsa një ditë më pas u sulmuan pozicionet rumune në jug. Brenda pak ditësh, fronti u ça. Forcat sovjetike përparuan nga dy drejtime dhe më 23 nëntor u bashkuan pranë Kallaçit, duke mbyllur rrethimin rreth Ushtrisë së 6-të gjermane dhe pjesëve të forcave të tjera të Boshtit.
Kështu, qindra mijëra ushtarë gjermanë dhe aleatë mbetën të bllokuar brenda një unaze që do të shtrëngohej gjithnjë e më shumë.
Por katastrofa nuk përfundoi me kaq. Në dhjetor 1942, Operacioni i Vogël Saturn goditi rëndë Ushtrinë e 8-të italiane, e njohur edhe si ARMIR, duke shkatërruar një pjesë të madhe të aftësisë së saj luftarake. Në janar 1943, një tjetër ofensivë sovjetike shkaktoi shkatërrimin e pjesës më të madhe të Ushtrisë së 2-të hungareze.
Ishte shembja e një sistemi të tërë ushtarak që Gjermania kishte ndërtuar mbi aleatë të cilët, në momentin vendimtar, nuk mundën të përballonin peshën e frontit.
Megjithatë, Stalingradi nuk ishte vetëm një histori e krahëve të pambrojtur. Ishte edhe historia e një komande gjermane që refuzoi të pranonte realitetin. Hitleri i ndaloi trupat të tërhiqeshin, premtoi furnizim nga ajri që nuk mund të realizohej në përmasat e nevojshme dhe e mbajti Ushtrinë e 6-të të bllokuar në një kurth pa rrugëdalje. Më 2 shkurt 1943, rezistenca e organizuar gjermane në qytet mori fund.
Stalingradi shënoi fundin e mitit të pamposhtshmërisë së Vermahtit.
Gjermania e re dhe dilema e vjetër evropiane
Sot Gjermania kërkon të ndërtojë një ushtri të aftë për të përballuar kërcënimet e reja. Pushtimi rus i Ukrainës e ka ndryshuar rrënjësisht perceptimin evropian për sigurinë. Për dekada me radhë, shumë vende të kontinentit besuan se paqja ishte një gjendje pothuajse e përhershme dhe se mbrojtja mund të mbështetej kryesisht te ombrella amerikane.
Tani kjo bindje është lëkundur.
Në këto rrethana, riarmatimi gjerman nuk është domosdoshmërisht një lajm i keq. Përkundrazi, një Gjermani me kapacitete të forta mbrojtëse mund të jetë një garanci e rëndësishme për sigurinë e Evropës. Por problemi nuk qëndron vetëm te madhësia e ushtrisë që synon të ndërtojë Berlini. Qëndron te mënyra se si kjo fuqi do të përdoret dhe brenda cilit kuadër politik do të kontrollohet.
Sepse Evropa e ka paguar shtrenjtë mungesën e ekuilibrave.
Në vitin 1914, një sistem aleancash dhe rivalitetesh e çoi kontinentin në një luftë katastrofike. Në vitin 1939, ekspansionizmi gjerman e zhytur Evropën në një tjetër konflikt botëror. Në të dyja rastet, fuqia ushtarake, ambiciet politike dhe llogaritjet e gabuara prodhuan një katastrofë që kapërceu kufijtë e kontinentit.
Prandaj, Evropa nuk duhet ta shohë historinë si një muze ku ruhen vetëm fotografi bardhezi. Ajo duhet ta lexojë atë si një paralajmërim.
Një Gjermani e fortë është e nevojshme për një Evropë të fortë. Por një Evropë e fortë nuk mund të ndërtohet duke ia dorëzuar sigurinë, vendimmarrjen dhe peshën ushtarake vetëm një kryeqyteti. Ajo kërkon koordinim, kontroll demokratik, përgjegjësi të përbashkët dhe një politikë sigurie ku asnjë fuqi kombëtare të mos veprojë jashtë interesit të përgjithshëm evropian.
Stalingradi ishte një mësim i hidhur për Gjermaninë. Por edhe një mësim për Evropën: ushtritë nuk mjaftojnë nëse mungon strategjia, aleancat nuk vlejnë nëse nuk mbështeten në fuqi reale dhe siguria nuk mund të ndërtohet mbi iluzionin se lufta i përket vetëm së kaluarës.
Sot Evropa ka përballë një Rusi që ka rikthyer luftën në kontinent. Ka një Amerikë që nuk garanton më me të njëjtën siguri si dikur mbrojtjen e saj. Dhe ka një Gjermani që po përgatitet të marrë një rol ushtarak të paprecedentë që nga fundi i Luftës së Dytë Botërore.
Në këtë trekëndësh të ri fuqish, Evropa duhet të dijë çfarë kërkon dhe, mbi të gjitha, çfarë nuk duhet të lejojë.
Sepse historia nuk përsëritet gjithmonë me të njëjtët aktorë. Por gabimet e saj kanë një zakon të keq: kthehen atëherë kur brezat e rinj fillojnë të besojnë se nuk mund të ndodhin më.
Dhe Evropa nuk ka luksin të flejë mbi dafina.
