Last Updated on 24/11/2026 by Monika
Nga Mentor Kikia
Blendi Klosi ka deklaruar sonte se vendimi për përjashtimin e Spiropalit nga Grupi Parlamentar lidhet me “vullnetin e forcës sonë politike për të qenë të fokusuara në dy momente shumë të rëndësishme që kemi përpara. Kryesorja është integrimi në BE dhe ky duhet të jetë fokusi i gjithë debatit dhe punës”.
Të njëjtën retorikë ndoqi PS-ja edhe pas Asamblesë së Gjirit të Lazit, ku Elisa i përjashtua nga forumet e PS.
Megjithatë, përtej çështjes “Spiropali” që nuk më intereson fare ne aspektin politik, dua të di se çfarë do të thotë “integrimi në BE duhet të jetë fokusi i debatit dhe i punës”, dhe pse e pengonte Elisa integrimin?
E para, Shqipëria nuk integrohet me “debat”, por duke siguruar:
● Standarde më të larta demokratike;
Zgjedhje të lira e të drejta;
● Drejtësi funksionale;
● Luftë kundër korrupsionit;
● Transparencë në prokurime;
● Funksionim të institucioneve;
● Konkurrueshmëri të lirë në ekonomi;
● Media të lirë;
● Mjedis më të pastër;
● Mbrojtje të zonave natyrore të mbrojtura;
● Siguri më të madhe ushqimore;
● Bujqësi të përparuar dhe të përafruar me standardet e BE-së.
Etj etj…
Me pak fjalë, Shqipëria duhet të qeveriset shumë më mirë.
E dyta, çfarë pune prishi Elisa këtu për integrimin?
Vetëm një, mendoj unë.
Elisa donte të hapej një debat mbi mënyrën se si drejtohet partia. “Të bëhet garë, të ndërtohen struktura që funksionojnë, të ngrihet një sistem llogaridhënës….”.
Por ky debat brenda partisë konsiderohet i panevojshëm, sepse “tani në parti duhet të debatohet vetëm për integrimin”.
Me këtë logjikë, gjithkush që kërkon llogari apo demokraci në PS duhet të përjashtohet, pasi në parti duhet të flitet vetëm për integrimin.
