Edhe njerëzit inteligjentë dhe të aftë mund të kenë sjellje që ndikojnë në mënyrën si i perceptojnë të tjerët. Shpesh, këto zakone lidhen me pasigurinë dhe ankthin, edhe pse personat që i shfaqin nuk e kuptojnë se çfarë përshtypjeje krijojnë.
1. Kërkojnë vazhdimisht falje edhe kur nuk kanë faj
Të kërkosh falje për gjithçka mund të krijojë përshtypjen e një personi që nuk ka besim te vetja. Psikoterapistja Joanna Hardis shpjegon se kjo sjellje mund të vijë nga dëshira për t’u pëlqyer të gjithëve ose nga një ndjenjë e tepruar përgjegjësie dhe faji. Të marrësh përgjegjësi kur ke lënduar dikë është ndryshe nga të kërkosh falje për gjëra që nuk varen prej teje.
Zakoni që i bën edhe njerëzit inteligjentë të duken me
2. Kërkojnë vazhdimisht miratimin e të tjerëve
Kur mbështetemi te komplimentet dhe vlerësimi i të tjerëve për të fituar besim te vetja, ky besim mbetet i përkohshëm. Është normale të dëshirosh të vlerësohesh, por miratimi i të tjerëve nuk mund të zëvendësojë respektin për veten.
3. Përpiqen t’i kënaqin të gjithë
Të thuash gjithmonë “po” dhe të vendosësh nevojat e të tjerëve përpara të tuave mund të tregojë mungesë vetëvlerësimi. Punonjësja sociale Terry Gaspard shpjegon se kjo sjellje shpesh buron nga frika e refuzimit. Sipas saj, nuk jemi të detyruar të plotësojmë çdo kërkesë të të tjerëve.
4. Japin shpjegime të gjata për çdo vendim
Edhe zgjedhjet më të vogla mund të shoqërohen me justifikime të panevojshme. Kjo mund të krijojë përshtypjen se personi nuk është i sigurt në vendimet e veta dhe kërkon miratimin e të tjerëve. Nëse zgjedhjet e tua nuk dëmtojnë askënd, nuk ke pse t’i shpjegosh vazhdimisht.
5. Mburren duke u shtirur sikur nuk po mburren
Kjo ndodh kur dikush përpiqet të tregojë arritjet e veta, por i paraqet ato sikur po ankohet. Për shembull, ankohet se është i lodhur nga udhëtimet e shpeshta apo nga përgjegjësitë e reja në punë, duke nënvizuar në të njëjtën kohë privilegjet dhe sukseset e veta. Në thelb, është një mënyrë për t’u mburrur pa e pranuar hapur.
6. Ndërpresin të tjerët dhe flasin mbi ta
Të ndërpresësh vazhdimisht dikë mund të tregojë se e konsideron mendimin tënd më të rëndësishëm se atë të bashkëbiseduesit. Të dëgjosh me vëmendje kërkon durim dhe gatishmëri për të marrë parasysh edhe mendime të ndryshme nga të tuat.
7. Janë gjithmonë të gatshëm për të tjerët
Të anulosh planet e tua sa herë që dikush ka nevojë për ty mund të tregojë se po kërkon me çdo kusht miratimin e tij. Është e rëndësishme të jesh i pranishëm për njerëzit që do, por edhe të respektosh kohën dhe energjinë tënde. Të thuash “jo” është gjithashtu e nevojshme.
8. Ankohen për çdo shqetësim të vogël
Psikoterapistja Ilene S. Cohen shpjegon se njerëzit që ankohen vazhdimisht priren t’i ekzagjerojnë situatat dhe rrallëherë janë të kënaqur. Ankesat e përsëritura mund të ndikojnë edhe te humori i njerëzve përreth, duke i ngarkuar emocionalisht.
9. Lejojnë që xhelozia të drejtojë sjelljen e tyre
Xhelozia është një ndjenjë normale, por mënyra si reagojmë ndaj saj mund të dëmtojë marrëdhëniet. Psikologia Lori Beth Bisbey shpjegon se xhelozia e shpeshtë mund të sjellë dyshime të vazhdueshme dhe një atmosferë negative. Komunikimi me partnerin dhe puna me veten mund të ndihmojnë në menaxhimin e saj.
10. Sillen sikur dinë gjithçka
Disa njerëz ndiejnë nevojën të tregojnë vazhdimisht sa të zgjuar apo të aftë janë. Por një qëndrim superior dhe bindja se kanë përgjigjen për gjithçka mund t’i largojë të tjerët. Një bisedë e mirë kërkon edhe gatishmërinë për të dëgjuar mendimet e të tjerëve.
11. Harrojnë mirësjelljen bazë, si “të lutem” dhe “faleminderit”
Mungesa e mirënjohjes mund të ndikojë në mënyrën si na perceptojnë të tjerët. Autori David Ahearn thekson se shpesh përqendrohemi te gjërat që dëshirojmë të ndryshojmë në jetën tonë, duke harruar atë që kemi tashmë. Sipas tij, ndër gjërat më të vlefshme janë përvojat që ndajmë me familjen, miqtë dhe njerëzit tanë të dashur./mxh
