Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, gjatë një dalje në konferencë për mediat ka dënuar me forcë të madhe incidentin e regjistruar gjatë protestës së ditës së shtunë, që përkon me festën e Ditës së Pavarësisë.
Gazi lotsjellës në protestë/ Nuk kursehet as selia e PD
Berisha dënoi aktin e sulmimit të selisë së PD-së, e cila nuk u kursye nga prania e molotovëve dhe gazit lotsjellës. Për Berishën, këtë akt antikushtetues mund ta kryejë vetëm regjimi ‘Stalinist’ i kryeministrit Edi Rama, të cilin e etiketon si një xhelat të vërtetë.
Për të, Rama është një armik i pluralizmit politik dhe i demokracisë, fakt të cilin e vërtetoi, sipas kryedemokratit, me sulmin ndaj selisë blu gjatë pasdites së sotme.
Berisha theksoi se, në rast përsëritjeje të ndonjë sulmi të tillë karshi godinës qendrore të demokratëve, ai do të marrë masa, duke paralajmëruar ashpër sulm ndaj selisë së PS-së, për t’ia kthyer mazhorancës me të njëjtën monedhë aktin e turpshëm të sulmit ndaj ndërtesës së demokratëve.
“Së treti, dënoi sulmin Stalinist kundër selisë së PD-së. Ervin Kristaq Xhelati, armik i pluralizmit, tregoi narkobanditët e tij me gjithë arsenalin dhe gjuajtën territorin e saj me topa uji, me bombola gazi, me spreji, në një kohë kur në mënyrë absolute nuk kishte asnjë motiv të vetin, përveç urrejtjes ndaj kundërshtarit politik.
Paralajmëroj Ramën, hiq dorë nga sulmet ndaj PD-së, se mund të të kundërpërgjigjemi në mënyrë dramatike.
Kjo seli ka qenë, është dhe do të mbetet strehë e çdo protestuesi, të çfarëdolloj bindjeje. Dhuna ndaj tyre është akt antikushtetues.
Do të mbrojmë këdo që ka nevojë nga sulmet e egra të narko-regjimit të Ramës”, u shpreh Berisha./ Mxh
