Shkencëtarët po studiojnë ilaçe eksperimentale, që synojnë të ngadalësojnë disa procese të plakjes te qentë dhe t’u mundësojnë atyre të jetojnë më gjatë e në gjendje më të mirë shëndetësore.
Dy nga kërkimet kryesore po shqyrtojnë përbërës që ndikojnë në metabolizmin dhe në mekanizmat biologjikë të plakjes.
Ato po vlerësohen përmes studimeve klinike, të cilat duhet të përcaktojnë nëse përfitimet janë reale dhe nëse përdorimi i tyre është i sigurt.
Një nga kandidatët për trajtim quhet LOY-002 dhe po prodhohet nga kompania amerikane “Loyal”.
Ilaçi synon qentë e moshuar dhe përqendrohet te ndryshimet metabolike, që ndodhin me kalimin e moshës.
Sipas kompanisë, qëllimi është të përmirësohet mënyra se si organizmi përpunon insulinën dhe të vonohet shfaqja e disa problemeve shëndetësore të lidhura me plakjen.
Për të vlerësuar efektet e tij, kompania po zhvillon studimin “STAY”, ku janë përfshirë rreth 1 300 qen në më shumë se 70 klinika veterinare në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
Studimi është i kontrolluar me “placebo”, disa qen marrin ilaçin eksperimental, ndërsa të tjerë një tabletë pa përbërësin aktiv.
As pronarët dhe as studiuesit nuk e dinë gjatë studimit, se cilët qen marrin ilaçin dhe cilët “placebo”, një metodë që ndihmon në uljen e paragjykimeve gjatë vlerësimit të rezultateve.
Sipas “Loyal”, Administrata Amerikane e Ushqimit dhe Barnave (FDA) ka pranuar të dhënat për sigurinë e LOY-002 për përdorimin e synuar.
Ky është një hap në procesin e vlerësimit, por nuk do të thotë se ilaçi ka marrë miratimin përfundimtar për përdorim të përgjithshëm.
Studimi duhet të japë të dhëna të mëtejshme për sigurinë dhe efektivitetin e tij.
Një tjetër kërkim po shqyrton rapamicinën, një ilaç që ndikon në sistemin imunitar dhe metabolizëm.
Studimet te minjtë kanë treguar se kjo substancë mund të zgjasë jetëgjatësinë, por nuk është e qartë nëse do të ketë të njëjtin efekt te qentë.
Studimi “TRIAD”, i lidhur me projektin kërkimor “Dog Aging Project” dhe Universitetin Tufts, në shtetin e Masaçusetsit, SHBA synon të përcaktojë nëse rapamicina mund të zgjasë jetën e qenve dhe të përmirësojë tregues të shëndetit gjatë plakjes.
Sipas protokollit të publikuar nga universiteti, qentë pjesëmarrës caktohen rastësisht për të marrë rapamicinë ose “placebo”.
Trajtimi i planifikuar zgjat një vit, ndërsa ndjekja shëndetësore vazhdon për një periudhë më të gjatë.
Studiuesit do të vlerësojnë tregues të ndryshëm shëndetësorë, përfshirë funksionin e zemrës dhe ndryshimet që mund të lidhen me plakjen.
Qëllimi është të përcaktohet nëse përfitimet e mundshme janë të matshme dhe nëse ato shoqërohen me rreziqe.
Pse është i rëndësishëm ky kërkim?
Qentë plaken më shpejt se njerëzit dhe mund të zhvillojnë sëmundje të lidhura me moshën, si probleme të zemrës, tumore dhe rënie të funksioneve fizike.
Studiuesit shpresojnë që, ndërhyrjet që ndikojnë te proceset biologjike të plakjes, të ndihmojnë në ruajtjen e shëndetit për më gjatë, jo thjesht në trajtimin e një sëmundjeje të veçantë.
Megjithatë, jetëgjatësia dhe shëndeti nuk janë e njëjta gjë.
Një trajtim mund të përmirësojë disa tregues shëndetësorë pa provuar se zgjat jetën.
Për këtë arsye, rezultatet duhet të maten në studime të kontrolluara dhe gjatë një periudhe të mjaftueshme./mxh
