Last Updated on 23/06/2026 by Anisa
Për vite me radhë politika shqiptare u mor me një pyetje që tingëllonte si provim diplomacie, a e kalon dot oqeanin?! Ishte pyetja për vizat, për “non grata”-n, për fotografitë me amerikanët, për lobingjet ndërkombëtare. Ishte diçka pezull mes avionëve, ambasadave dhe deklaratave nga Uashingtoni, sikur fati i shqiptarëve ishte i lidhur me statusin dhe fatin politiko/diplomatik të Ramës apo Berishës.
Faktet dhe koha e ka zvogëluar dramën dhe dilemën në kontekstin e saj fizik dhe gjeografik.
Tani pyetja nuk është më nëse e kalon dot oqeanin. Pyetja është bërë shumë më e vogël, por ndërkohë shumë shumë herë më e rëndë. A e kalojnë dot bulevardin?! Jo atë bulevardin ceremonial të paradave zyrtare, jo atë të mitingjeve me militantë, por bulevardin spontan me njerëz të lirë. Atë ku ecin njerëzit që nuk jetojnë me fjalime e mashtrime.
Atë bulevardin e njerëzve që nuk besojnë më as te “rilindja”, as te “rithemelimi”.
Deri dje politika shqiptare matej me oqeanin. Sot matet me 800 metra asfalt në bulevard. Sepse oqeanin e kalon me avion, ndërsa bulevardin duhet ta kalosh mes njerëzve në këmbë. Dhe kjo është vërtetë sfidë për ata që kanë pasur dhe ushtruar pushtet në këta 35 vjet. A mundet Rama të ecë vetëm, pa kordon sigurie, mes qytetarëve të vendit të tij. Nëse Shqipëria është ashtu sikurse ai e përshkruan në fjalime atëherë ai duhet të gëzojë admirimin e popullit.
A mundet Berisha të ecë sot në bulevard mes njerëzve të lirë pa turmën militante pa të cilën ai nuk ekziston dot jo vetëm mendërisht por edhe fizikisht. Kjo është tragjikomedia shqiptare, dy njerëz që flasin çdo ditë në emër të popullit, por janë njerëzit më të anatemuar të tij. Tani për Ramën e Berishën nuk është më problem oqeani, por bulevardi. A dalin dot ata si njerëz të lirë në bulevard?!