Last Updated on 01/08/2025 by adminfjala
Polly Toynbee
Po, Britania siguroi kushte më të mira me SHBA-në se shumica e vendeve të tjera. Por krahasuar me humbjen e madhe në tregtinë me Evropën, kjo është thjesht një pikë në oqean.
Ata që e mashtruan vendin për Brexit-in zakonisht janë më të heshtur këto ditë. Nuk ulen kokulur nga turpi, por ndryshojnë temë sa herë që munden. Tani shmangien e bëjnë me thirrjen e re luftarake: se Britania duhet të largohet edhe nga Konventa Evropiane për të Drejtat e Njeriut.
Ndërsa pasojat e marrëzisë së tyre të quajtur Brexit përkeqësohen muaj pas muaji, rrallëherë u jepet rasti të brohorasin: “Kishim të drejtë!” Prandaj, hareja e tyre ishte e pakontrolluar kur dhunuesi global i madh, SHBA-ja, e goditi më butë Britaninë me një tarifë prej 10% për mallrat e saj, krahasuar me BE-në, e cila u godit me 15%.
Gëzimi i tyre kulmoi kur ministri britanik i biznesit dhe tregtisë, Jonathan Reynolds, pranoi: “Jam shumë i qartë, kjo është një përfitim i të qenit jashtë Bashkimit Evropian, që kemi politikën tonë të pavarur tregtare, pa asnjë dyshim.” Por çfarë tjetër mund të thotë një ministër tregtie, kur flet mes dhëmbësh? Duke u përpjekur të tërheqë investime të huaja, nuk mund të thotë të vërtetën për dëmin që solli largimi nga BE-ja.
Këta avokatë të Brexit-it duhet të mburren sa të munden. Kur kryeministri francez e quajti marrëveshjen BE-Trump një “nënshtrim”, Kwasi Kwarteng u kap pas kësaj fjale në një artikull për “The Telegraph”, duke shkruar: “Për francezët, me kujtimet e kapitullimit ndaj nazistëve në 1940, kjo fjalë lidhet më shumë me poshtërim të plotë sesa në anglisht.” Po ky është i njëjti Kwarteng që hodhi ekonominë britanike në greminë vetëm tre vite më parë.
“Marrëveshja tregtare është poshtërimi më i madh i BE-së që nga referendumi për Brexit”, thuhej në titullin e kolonës së tij. Por ai nuk do të pranonte kurrë se dallimi mes një tarife 10% dhe 15% me SHBA-në është minimal, pasi Britania tregton dyfish më shumë me BE-në sesa me SHBA-në. Kjo vlen sa luhatjet e zakonshme të kursit të këmbimit; pra, “një gabim rrumbullakimi”, më tha eksperti i tregtisë nga Qendra për Reformën Evropiane, John Springford, në krahasim me goditjen që i dha vetes Britania me Brexit.
Marrëveshja tregtare Britani-Indi, e nënshkruar me kryeministrin indian Narendra Modi javën e kaluar, u prit me një tjetër brohoritje nga kampi i Brexit-it. Anëtari konservator i Dhomës së Lordëve, Daniel Hannan, shkroi në “Telegraph”: “Partia ime, dhe mbështetësit e Brexit-it më gjerë, duhet të marrin meritat për atë që eurofilët e mençur na thoshin prej gjashtë vitesh se ishte e pamundur. Në vend që të ankohemi, duhet ta përshëndesim mirëkuptimin e vonuar të Starmer-it se tregjet më të mëdha dhe me rritje më të shpejtë janë jashtë BE-së.” Por udhëheqësja tjetër konservatore, Kemi Badenoch, kishte tjetër mendim: “Keir Starmer e quajti këtë ‘historike’. Nuk është historike, thjesht na kanë mashtruar!”, tha ajo, duke e përshkruar marrëveshjen me Indinë si një pazar të keq që do të rrisë emigracionin.
Nuk e di nëse njerëz inteligjentë si Kwarteng dhe Hannan janë verbuar nga një obsesion i quajtur Brexit, apo janë të paralizuar nga vetëdija e dëmshmërisë së veprimeve të tyre – një akt mashtrimi dhe iluzioni që zor se gjen të ngjashëm në historinë britanike. Por si gjithmonë, faktet janë tepër të pakëndshme për t’u përballuar.
Po, marrëveshja me Indinë është më e madhja dhe më e rëndësishmja që kur u larguam nga BE-ja. Po, do të ishte e pamundur të bëhej brenda unionit. Por sa e madhe është në të vërtetë? Do t’i shtojë ekonomisë sonë vetëm 0.13%. Kjo është më mirë se marrëveshja me Australinë (vetëm 0.08%), me Zelandën e Re (0.03%), apo ajo e propozuar me SHBA-në (0.16%), sipas analizës së Departamentit për Biznes dhe Tregti. Por ekonomia jonë e brishtë ka nevojë për ndihmë nga çdo anë, ndaj, urra për Brexit-in dhe marrëveshjet e reja tregtare!
Por ata që brohorasin harrojnë kontekstin: humbjet e mëdha të Brexit-it. Ja çfarë thotë Zyra për Përgjegjësi Buxhetore: “Parashikimet tona supozojnë se volumi i importeve dhe eksporteve të MB-së do të jetë 15% më i ulët sesa po të kishim mbetur në BE.” Kjo humbje prej 15% në tregti “do të sjellë një ulje prej 4% të produktivitetit potencial të ekonomisë së MB-së.” Me fjalë të tjera, siç llogarit Jonty Bloom nga “New World”, do të na duhen 50 marrëveshje me Indinë për të kompensuar Brexit-in, sepse Britania bën mbi 40% të tregtisë me BE-në – më shumë, nëse përfshihen edhe Zona Ekonomike Evropiane dhe Zvicra. India ka vetëm 2% të tregtisë sonë.
Mbështetësit e Brexit-it ankohen se Laburistët po na fusin sërish në BE “nga dera e pasme”, me marrëveshje për Horizon-in, programin evropian për kërkime dhe inovacion; shpresojmë së shpejti edhe Erasmus-in dhe një skemë për përvojën rinore. Shpresojmë edhe për marrëveshje në bujqësi e energji. Por edhe këto, sipas ekspertëve të tregtisë, janë “gjëra të vogla”. Përpjekjet madhore për të shpëtuar ekonominë nga humbja e produktivitetit prej 4% që nga viti 2020 përplasen me murin e marrëveshjes katastrofike të Boris Johnson-it për tregti dhe bashkëpunim. Zealotët e Brexit-it protestojnë kundër çdo marrëveshjeje që do të mbante përputhje dinamike me standardet e BE-së – edhe pse kjo do ta bënte tregtinë më të lehtë. Dhe kjo nuk ndikon te standardet tona mjedisore të brendshme: jashtë rregullave të BE-së, cilësia e ujit në Britani ka rënë. Më shumë se 85% e ujërave për banjë në BE janë vlerësuar si “të shkëlqyera”, krahasuar me vetëm 64% në Britani – dhe hendeku po rritet çdo vit, sipas Lëvizjes Evropiane.
Opinionet publike janë kthyer me shpejtësi: tani jemi një vend i penduar për Brexit-in – vetëm 31% mendojnë ende se ishte vendim i duhur, ndërsa 61% thonë se ka qenë më shumë dështim sesa sukses. Kujt ia vënë fajin? Konservatorëve (88%) dhe Boris Johnson-it (84%). Më shumë se dy të tretat (67%) fajësojnë Nigel Farage-in. Shumica e britanikëve (56%) duan të ribashkohen me BE-në, ndërsa vdekja e brezit të vjetër të Brexit-it zëvendësohet me votues të rinj, pro-evropianë.
Mos prisni hapa më të guximshëm nga qeveria Laburiste në këtë gjendje aktuale. Megjithëse mbrojtja dhe siguria na afrojnë gjithnjë e më shumë me BE-në, opinioni publik nuk është i besueshëm. Nëse njerëzit përballeshin tani me kushtet reale për rikthim – pagesat, lëvizjen e lirë, përdorimin e euros, pa privilegje të veçanta – ndoshta përgjigjet e tyre do të ndryshonin. Humori mund të ndryshojë gjithashtu, nëse ekstremi i djathtë vazhdon rritjen në vendet e BE-së, duke sfiduar vlerat e unionit.
Çfarë do të nevojitej për të hequr qafe errësirën ekonomike, politike dhe psikologjike të Brexit-it? Ndoshta një udhëheqës i ri konservator, i zgjuar – ose Cleverly?, që do të guxonte të shkëputej nga e kaluara, të pranonte gabimin e Brexit-it dhe të na kthente përfundimisht në BE. Mund të duhen breza të tërë për t’u rikuperuar.
*Polly Toynbee është kolumniste në The Guardian/ Përgatiti për botim: L.Veizi
