Last Updated on 14/05/2026 by EL
Nga Përparim Gjeka
Nuk është vetëm vizita e sotme e Presidentit Donald Trump në Pekin dhe respekti reciprok në nivelin më të lartë të mundshëm midis Kines dhe SHBA që tregon përfundimisht se tashmë, realisht, kemi dy superfuqi në botë: pikërisht Amerikën dhe Kinën.
Ka disa indikatorë që çojnë në këtë përfundim.
Amerika gjithmonë ka arritur të ushtrojë presion ndaj çdo vendi, përfshirë edhe Kinën në vitin 2018, përmes luftës tregtare, tarifave, lojërave ushtarake, diplomacisë etj., duke arritur synime të caktuara. I vetmi shtet që iu përgjigj në mënyrë reciproke dhe që nuk pësoi pasoja të rënda nga ndërhyrjet amerikane ka qenë Kina e pas vitit 2025. Kjo tregon për një shtet që ekziston dhe zhvillohet me ritme të larta pavarësisht Amerikës. Fuqia ekonomike, politike, diplomatike, teknologjike dhe ushtarake e Amerikës nuk ka ndikimin e dikurshëm mbi Kinën.
Së dyti, ajo që dëshmon statusin e Kinës si superfuqi është fakti se vetëm ajo është në gjendje t’i shkaktojë pasoja vetë Amerikës dhe planeve të saj strategjike. Për shembull, Kina zotëron rreth 80% të mineraleve të rralla të përpunuara, të domosdoshme për industritë kyçe amerikane, si industria ushtarake dhe inteligjenca artificiale. Ndërkohë, nga ana ushtarake, Kina — pa hyrë drejtpërdrejt në luftë — ka goditur në thembrën e Akilit luften e United States-Israel kundër Iranit, duke i transmetuar këtij të fundit koordinata të sakta satelitore të bazave ushtarake amerikane në vendet e Gjirit Persik dhe ne Izrael.
Së treti, Kina ka krijuar një numër shtetesh satelite dhe të varura prej saj, duke ndërtuar një habitat alternativ shtetesh jo vetëm në aleancë politike, por edhe ekonomike e ushtarake. Këto vende varen nga mbështetja kineze deri në kufijtë e mbijetesës; pra, nëse ndërpritet ky suport, ato rrezikojnë kolapsin. Këtu mund të përmendet Rusia, e cila varet nga shitja e naftës në Kinë dhe nga furnizimi me mallra nga strategjike deri te ato te konsumit; po kështu Irani, Korea e Veriut, Laosi, si edhe disa shtete të tjera në Azinë Qendrore e Afrikë. Këtu nuk përfshihen shtete që luajnë me dy porta, si Pakistani apo Serbia.
Së katërti, Amerika ka presion të brendshëm nga vetë klasa e kapitalistëve të rinj të teknologjisë, si Elon Musk i Tesla, si dhe kompani të tjera si Amazon, Apple, NVIDIA etj., disa prej të cilëve ishin bashkë me Trump në delegacion. Interesi që kanë ata është tregu i madh kinez si konsumator për produktet e tyre, por edhe si prodhues me kosto të ulët dhe cilësi të lartë. Ata kërkojnë konkurrencë të lirë globale, ku besojnë se mund të fitojnë.
Si rrjedhojë e sa më sipër, nga ky takim priten rezultate si vijon:
Si dy superfuqi, pritet të merren vendime për rindarjen e influencave në botë, me Kinën dhe Amerikën që do të marrin pjesën e luanit. Pas takimit në Alaska midis Trump dhe Putin, administrata amerikane kuptoi me vonesë se marrëveshjet me Putinin ishin të pazbatueshme, sepse shumë procese kontrolloheshin realisht nga Kina. Kjo praktikë u përforcua edhe në rastin e Iranit, duke krijuar bindjen se vetëm Kina mund të dalë garant për marrëveshje afatgjata.
Nëse nuk do të ketë takim kokë më kokë Trump–Xi, kjo do të thotë se të dy palët — ose të paktën njëra prej tyre — thjesht po kërkon kohë dhe nuk është ende gati për marrëveshje strategjike afatgjata. Nëse do të ketë takim të drejtpërdrejtë, atëherë kjo do të nënkuptojë se disa shtete do të jenë objekt diskutimi dhe ndarje influencash. Mund të ketë edhe “shkëmbime” të mëdha strategjike, si p.sh. Taiwani për Iranin. Në Iran, si kundërpeshë, mund të fuqizohet një grupim me influencë nga Pakistani dhe Turqia, por me orientim proamerikan. Kuba mund të rikthehet nën influencën amerikane; Ukraina mund të ndahet sipas hartës së Putinit dhe Krimea të njihet si pjesë e Rusisë; Azia Qendrore dhe Jugore të bien nën influencën kineze; ndërsa në Middle East dhe Afrikë të përcaktohen zona ndikimi mes Perëndimit dhe Kinës.
Europa pritet të dobësohet gjeostrategjikisht, por të mbetet e pavarur në ekuacionin e superfuqive duke bashkevepruar me te dyja. Po kështu edhe Japonia, Korea e Jugut, Australia dhe India do të ndjekin një kurs të ngjashëm me Europën. Bie ndikimi i Izraelit.
Nga ana ekonomike, pritet të hapet më shumë tregu kinez për korporatat amerikane dhe të krijohet një konkurrencë më e lirë ekonomike midis dy superfuqive, pa pengesa të forta tregtare. Hapet kanali i Hormuzit, ulet nafta, rikthehet tregtia dhe logjistika “business as usual”.
Edhe nëse këto zhvillime nuk konkretizohen menjëherë në këtë Samit, ato pritet të ndodhin gradualisht sipas raportit të forcave që tashmë po konturohet.
