Last Updated on 14/05/2026 by EL
Nga Jakin Marena
Ishim mësuar që punimet në Kuvend, si në komisionet parlamentare ashtu dhe në seancat plenare, t’i përcillnim me ‘zemër të ngrirë’ pasi nga momenti në moment mund të digjeshin karrige, tavolina, të fluturonin libra, parfume dhe gjithçka në drejtim të podiumit apo të ‘panelit’ të ministrave të qeverisë, të cilët kanë qënë ‘shënjestër’ e deputetëve të Berishës!
Veprime këto që e kanë detyruar Gardën të reagojë për të evituar përballjen fizike. Por, këtë të enjte morëm vesh se, pas kësaj periudhe tensionesh të forta politike dhe përplasjesh në Kuvend, mazhoranca dhe opozita kishin arritur dakordësi për një rezolutë të përbashkët mbi procesin e anëtarësimit të Shqipërisë në Bashkimin Evropian. Në komisionin parlamentar, në fillim, të kuptohemi!
Dokumenti i dakordësuar që u miratua në seancën plenare, e cilëson integrimin evropian “objektiv strategjik kombëtar” dhe vendos theksin te forcimi i rolit të Kuvendit në mbikëqyrjen e reformave, kontrollin parlamentar ndaj ekzekutivit dhe monitorimin e negociatave me BE-në.
Për hir të së vërtetës, rezoluta parashikon angazhime konkrete nga të dyja palët politike për forcimin e dialogut, garantimin e pjesëmarrjes së plotë të opozitës në jetën parlamentare dhe respektimin e standardeve demokratike, në përputhje me Kushtetutën e Rregulloren e Kuvendit. Po ashtu, në dokument kërkohet edhe përshpejtimi i reformës zgjedhore sipas rekomandimeve të OSBE/ODIHR e Komisionit të Venecias, mbështetje për institucionet e drejtësisë në luftën kundër korrupsionit e krimit të organizuar, garantimi i lirisë së medias dhe pluralizmit mediatik.
Dhe teksa rezoluta vjen në një fazë të rëndësishme për procesin e integrimit, ndërsa Shqipëria pret vlerësimin për raportin IBAR dhe avancimin e mëtejshëm të negociatave me Bashkimin Evropian, duke ‘thithur’ dhe konsensusin e opozitës në Komisionet parlamentare, diçka ‘kërciti’ fort, duke e bërë liderin e PD, Sali Berisha që të pendohet rëndë e të deklarojë sërish se Shqipëria nuk është gati për të mbyllur negociatat dhe për t’u anëtarësuar në BE. E harroi dakordësinë fare!
Dikush mund të mendojë se Berisha u provokua në seancë nga Rama, apo nga tërë mazhoranca. Por pati hamendësime për ndonjë ndonjë, larg qoftë, sekuestro të re pasurie për familjarët e tij, ndonjë ndërprerje aksesi financiar apo investues po për familjarët e tij, se këtu Berisha nuk mban fare! E ka shumë problem këtë gjë, del dhe kundër ndonjë martese, dhe nëse ajo është në proces!
Por asgjë nga këto, të paktën në dukje, s’kishte ndodhur! Mazhoranca ishte në sallën e Kuvendit, po tregohej mjaft e qetë, me shumë bonssens ndaj opozitës! Madje dhe duke i bërë ‘qejfin’ herë herë me ndonjë copëz debati mes vetë përfaqësuesve të saj, siç ishte shkëmbimi i replikave mes kreut të Kuvendit Niko Peleshi dhe ish ministrit të Drejtësisë, deputetit Ulsi Manja! Replika këto ‘korrën’ dhe duatrokitjet e deputetëve të opozitës madje, por që në fund të herës inatin dhe tërbimin e Berishës nuk e zhdukën që nuk e zhdukën!
Edhe Edi Rama, i cili nuk e kursen Berishën me ironitë e tij, duke ia bërë nervat ‘tel’ por pa ia përmendur emrin asnjëherë, ishte në Gjermani, i pranishëm në ceremoninë tradicionale të akordimit të Çmimit të Karlit të Madh (Charlemagne Prize), i cili konsiderohet si një nga nderimet më të rëndësishme evropiane që prej vitit 1950, për individë dhe institucione me kontribut të spikatur në bashkimin dhe përparimin e Evropës.
Kishte ndodhur diçka tjetër, të cilën Berisha nuk e ka duruar dhe as nuk e duron dot! Madje kishte dy zhvillime të njëpasnjëshme që e kishin tërbuar në atë farë feje, sa nuk duronte asgjë në sallën e Kuvendit, nuk i hynte asgjë në sy! Komisionerja evropiane për zgjerimin, Marta Kos kishte bërë ‘gjëmën’, pasi kishte deklaruar se Shqipëria do të anëtarësohet në BE brenda vitit 2030 dhe ky ishte ‘basti’ i saj! Kjo e kishte tronditur por dhe tërbuar që në krye të herës me të vërtetë rëndë Berishën, i cili deri më tani, është shprehur se Shqipëria është ‘narko-shtet’ i Ramës dhe nuk e meriton të jetë në mesin e vendeve të BE, si vend anëtar me të drejta të plota!
Lajmi që BE kërkon mbylljen sa më shpejt të negociatave me Shqipërinë, i deklaruar gjatë një vizitë të Kos në Sllovaki, e cila tha se beson që grupkapitujt për Shqipërinë të mbyllen sa më shpejt të jetë e mundur, e kanë nxjerrë kreun e PD tërësisht nga binarët. Ishte vërtetë lajm i rëndë për të, i papërbvallueshëm dhe për moshën e tij, por dhe për vetë investimin e fortë që ka bërë!
“A mund ta imagjinoni? Nga viti 2009, BE po fillon punën për një traktat të ri pranimi, për Malin e Zi. Me Shqipërinë, ne kemi hapur të gjitha grupkapitujt e negociatave, dhe shpresoj të ecim përpara për t’i mbyllur sa më shpejt që të jetë e mundur. Ambicia jonë është për gjithë rajonin, të gjitha vendet të bëhen vende anëtare me të drejta të plota dhe me përgjegjësi të plota në BE, bazuar në linjëzim të plotë me ligjet e vlerat europiane. Dua ta them, duam ta bëjmë këtë ambicie realitet, dhe po, zgjerimi po ndodh”, tha Kos, duke goditur keq ëndrrën e Berishës për bllokim.
Dhe objektivi i Shqipërisë për t’u anëtarësuar në BE, lidhet dhe me një ambicie, ‘bast’ personal të Marta Kos. Ajo kërkon një sukses të përbashkët pikërisht në momentin kur do të mbyllë mandatin si komisionere e zgjerimit të BE. “Dua të hedh një sy në të ardhmen. Sllovakia merr Presidencën e BE, në gjysmën e parë të 2030. Mandati im mbaron pikërisht në atë kohë. Duhet të punoj fort që deri atëherë Presidenca juaj të jetë e suksesshme. Por gjysma e parë e 2030 do të jetë një moment i rëndësishëm për zgjerimin, disa vende kandidate kanë caktuar ambicie të forta për të mbyllur negociatat dhe për t’u anëtarësuar. Pra, me fillimin e dekadës së re, në 2030, duket të jetë një pikë kthese për BE dhe ju do e udhëhiqni atë moment”, theksoi Kos.
Komisionerja për zgjerimin, Kos, ka bërë përllogaritjen e fitimit të ‘bastit’ nga ana e saj, teksa vlerëson se Shqipëria do të mbyllë të gjithë grupkapitujt e negociatave me BE para Krishlindjeve të 2027, e deri atëherë ka për të plotësuar 101 detyrat e fundit, në 2028 synon të marrë traktatin e pranimit të anëtarësimit. dhe brenda vitit 2030 të jetë shteti më i ri anëtar i BE. Llogari këto që nuk konvergojnë me dëshirën e Berishës, i cili po bën të paundurën, mbeti madje në Berlin dhe Bruksel bashkë me bashkëpunëtorët e tij, thonë se ka hedhur dhe miliona euro për këtë qëllim, për të penguar anëtarësimin në BE! Nën ‘petkun’ e dënimit të Ramës, por që në të vërtetë kërkon të dënojë shqiptarët! Të hakmerret ndaj tyre, për shkak se e kanë abandonuar, nuk e mbështesin dhe as e llogarisin më si faktor relevant! Lerë ta votojnë për të qeverisur! U skrapatua Berisha!
Pikërisht kjo e ka nervozuar aq shumë kreun e PD, sa menjëherë sapo është njohur me këtë ‘bast’, ka filluar akuzat ndaj qeverisë, Ramës por dhe shtetit shqiptar, duke u shprehur se gjithçka është deklaruar nga kjo mazhorancë si arritje është një mashtrim! Berisha, edhe këtë të enjte, që nga podiumi i Kuvendit, ku po diskutohej pikërisht për këtë rezolutë që u miratua më pas me konsensus nga deputetët e mazhorancës dhe opozitës, akuzoi PS në qeverisje se procesin e integrimit po e bazon në mashtrime, censurë dhe fshehje të së vërtetës. “PD ka deklaruar me kohë se Shqipëria nuk plotëson asnjë kriter veç atij gjeopolitik, por mbështesim integrimin në BE. Gradualisht, ju faktuat ato që ne kishim thënë për ju. Faktuat me vepra konkrete se jeni jo për integrimin, por plaçkitjen, pasurimin e paligjshëm të shqiptarëve”, tha Berisha!
Kreu i PD, e quajti mazhorancën “hipokrite” që do të flasë për integrimin teksa deklaroi se “raporti dënon letrën famëzezë të Ramës dhe Vuçiçit që kërkoi integrim jashtë kushteve demokratike. Jeni ju pengesa kryesore e shqiptarëve në integrim. Armiqtë e vërtetë të integrimit jeni ju që vidhni shqiptarët”. Pa harruar përsëritjen e akuzës se Shqipëria është ‘narko-shtet’ dhe se do të denoncojë në Bruksel dhe kudo ku të ketë takime dhe të dëgjohet, se Shqipëria nuk e meriton anëtarësimin në BE. Dhe Berisha, në momentin kur po votohej rezoluta për BE, kërcet e del jashtë seancës dhe Kuvendit, duke bojkotuar fare votimin e saj! Nuk e do integrimin ai!
Dhe Berisha, teksa fajëson Ramën, në të vërtetë është njeriu më i përkushtuar për të nxirë Shqipërinë kudo nëpër botë, për të nxirë dhe ‘komunisten’ Kos, që mbështet këtë ‘narkoshtetin Ramës’ dhe ‘pa pasur asnjë progres drejt integrimit, kërkon anëtarësimin e Shqipërisë në BE brenda vitit 2030’! Kreu i PD nuk ia fal komisioneres Berisha këtë ‘bast’ për anëtarësimin e Shqipërisë në BE, brenda vitit 2030, as mbështetjen e fortë të saj për Shqipërinë dhe shqiptarët!
Por zhvillimi tjetër që nxori Berishën tërësisht nga binarët në sallën e Parlamentit dhe jashtë saj ka qënë vizita e kryeministrit Rama në Gjermani! Pikërisht në Berlin, ku kreu i PD dhe opozitës ka hedhur miliona euro për lobim, vetëm e vetëm që të bllokojë integrimin e ‘narko-shtetit të Ramës’ në BE! E thonë me keqardhje zërat brenda selisë së PD, të cilët kanë nisur t’i ‘qajnë’ këto para, sikurse bënë me milionat e lobimit në SHBA për heqjen e ‘non gratës’ për Berishën, shuma të cilat do ta kishin ‘stabilizuar’ PD-në nga qendra në bazë, të paktën financiarisht!
Berisha i ka rënë në ‘fund të këmbëve’ narrativa e krijuar me shumë bujë, sipas të cilës Berlini zyrtar nuk do të votojë për anëtarësimin e Shqipërisë në BE. Madje kreu i PD i kishte kërkuar gjermanëve që të vendosnin kushte të rënda për qeverinë shqiptare, sepse sipas tij, vendi ynë nuk kishte plotësuar asnjë kusht e nuk ishte gati për mbylljen e negociatave! Pavarësisht mbështetjes gjermane në votimin pro Shqipërisë në Komisionin e Jashtëm të PE, pavarësisht deklaratave të tjera të Berlinit dhe të vendeve anëtare të BE për progresin mbresëlënës të Shqipërisë në rrugën drejt anëtarësimit, ka qënë sërish Rama ai që ka ‘menduar’ për ta tërbuar Berishën dhe për ta nxjerrë nga binarët, aq sa të braktisë dhe votimin e rezolutës për integrimin në BE, për të cilën nga PD thuhet se në 90 përqind e saj, teksti është hartuar prej tyre.
Kryeministri, me praninë e tij në ceremoninë tradicionale të akordimit të Çmimit të Karlit të Madh, i cili konsiderohet si një nga nderimet më të rëndësishme evropiane që prej vitit 1950, për individë dhe institucione me kontribut të spikatur në bashkimin dhe përparimin e Evropës, ka ndarë disa fotografi ndërsa shkruan se për të, ishte kënaqësi dhe nder të ishte pjesë e grupit të miqve të nderit.
Rama shihet teksa takohet dhe bisedon me presidenten e Komisionit Evropian, gjermanen Ursula von der Leyen, me kancelarin gjerman Friedrich Merz, kryeministrin grek Kyriakos Mitsotakis e personalitete të tjera të larta politike. Pasi në këtë ceremoni, ish-presidenti i Bankës Botërore Mario Draghi u nderua me Çmimin “Karli i Madh” 2026, në vlerësim të rolit të tij të rëndësishëm në ruajtjen e stabilitetit ekonomik europian e në promovimin e vizionit për një Europë më të bashkuar, me treg më të integruar, kapacitete më të forta mbrojtëse dhe konkurrueshmëri më të lartë ekonomike.
Pra, nga Gjermania, Rama ia ka vënë ‘kripën në plagë’ Berishës, i cili ka shpenzuar shumë për një çikë bllokim apo thjeshtë pengim të integrimit të Shqipërisë në BE! Ka shpenzuar shumë energji për nxirjen e Shqipërisë në sytë e ndërkombëtarëve, gjë që deri më tani as vendet më armike nuk e kanë quajtur vendin tonë ‘narko-shtet’ dhe të kapur nga krimi! Madje as rivalët tanë në integrimin në BE nuk kanë thënë kurrë se Shqipëria nuk është gati! Jo më opozita në vendet respektive ta ketë thënë për vendin e tyre një gjë të tillë, dyerve të Brukselit dhe kancelarive të vendeve anetare të Unionit! Vetëm ‘çibani’ ynë, Berisha, e thotë! Gjithsesi këtë radhë, ishte me të vërtetë i tronditur dhe i tërbuar! Mund dhe para të shkuara dëm, si gjithnjë!/et
