**
Nëse do të pyesnim një pulë se ku do të donte të jetonte, me shumë gjasa do të zgjidhte një mjedis të hapur dhe jo një kafaz. Megjithatë, një studim i ri i publikuar në Royal Society Open Science, ku morën pjesë edhe studiues nga Universiteti i Padovës, sugjeron se vezët organike mund të kenë një ndikim më të madh mjedisor sesa ato të prodhuara në fermat intensive.
Studiuesit theksojnë se analiza bazohet në të dhëna të viteve 2009–2010 dhe nuk merr parasysh zhvillimet më të fundit në sektorin e blegtorisë. Gjithashtu, nuk janë përfshirë ndikimi i pesticideve, biodiversiteti apo efektet e tjera në ekosistem, ndaj rezultatet duhen interpretuar me kujdes.
Studimi simuloi dy skenarë në Mbretërinë e Bashkuar: që e gjithë prodhimi i vezëve të vinte nga pula të rritura në ambiente të hapura ose, në të kundërt, vetëm nga fermat intensive. Sipas llogaritjeve, në skenarin e parë emetimet vjetore do të arrinin në 2.316.000 tonë CO₂, ndërsa në të dytin do të ishin rreth 1.184.000 tonë.
Arsyeja kryesore lidhet me efikasitetin. Pulat e rritura në ambiente të hapura prodhojnë më pak vezë, ndaj nevojiten më shumë shpendë për të arritur të njëjtin prodhim. Në fermat intensive, pulat shpenzojnë më pak energji për lëvizje dhe e përdorin atë pothuajse tërësisht për prodhimin e vezëve, duke ulur emetimet për çdo vezë të prodhuar. Kjo, megjithatë, arrihet në kurriz të mirëqenies së kafshëve.
Shumë ekspertë që nuk morën pjesë në studim vlerësojnë se analiza është e paplotë, pasi nuk merr në konsideratë faktorë të rëndësishëm si shëndeti i tokës, cilësia e ujit dhe përdorimi i kimikateve. Për këtë arsye, rezultatet nuk nënkuptojnë se fermat intensive janë zgjidhja më e mirë, por tregojnë se edhe prodhimi organik ka kosto mjedisore dhe nuk përbën domosdoshmërisht zgjidhjen ideale./kb
