Nga Ermal Mulosmani
Pamjet e Ilir Metës në gjyq sot ishin makabre. Një fytyrë e zbehtë me një ngjyrë kufome, jepte të kuptoje për vuajtjet e tij çnjerëzore.
Unë nuk jam njeriu që duhet për të bërë avokatinë e tij, as kam njohuritë e as vullnetin e duhur.
Por jam kundër troturës psikologjike dhe fizike si mjet për kënaqjen e egos diabolike të një njeriu.
Hakmarrja e mendjeve diabolike, me metoda perverso-satanike që të çojnë kundërshtarin drejt atrofizimit mental dhe fizik duhet të revoltojnë çdo human.
Nuk do shumë mend që poshtërimi fizik që i ndodhi Metës kur u arrestua ishte një veprim i urdhëruar nga dikush që kishte mllefe të mëdha ndaj tij. Nuk e kënaqte arrestimi, as dënimi me gjyq, duhej një poshtërim publik me kamera, dhunë dhe prani sa më të madhe njerëzish. Spaku vetëm lëshon urdhra arresti, policia i ekzekuton.
Spektakli është zeja e Kryeminsitrit dhe Ilir Meta ishte preja e ëndërrruar. Kishte 20 e ca vjet që e priste atë ditë.
Trajtimi në burg nga autoritetet, sipas infove që kam unë ka qenë çnjerëzor. Nuk ia pastrojnë qelinë, e përgjojnë, i fikin dritat, ia kufizojnë kohën e ajrimit, ia pengojnë komunikimin.
Po e çmendin! Në fakt shenjat i kishte edhe pak përpara.
Dostojevski shkruan diku te “Vëllezërit Karamazov” (pak a shumë):
Kot e krahasojnë njeriun me kafshën. Tigri që të del përpara të shqyen dhe aq. Jeta jote merr fund. Ai nuk mund të jetë kurrë aq i egër, aq artistikisht i egër se njeriu! Atij nuk do t’i shkonte në mendje kurrë të luante me një foshnjë, ta bëj atë të gugasë nga gëzimi pak përpara se ti hapte barkun me bajonetë”.
Teksti nuk është ekzaktësisht kështu, nuk e mbaj mend por di që ushtari që e bënte veprimin ishte turk. Por më është ngulitur fjalia përmbyllëse : “Thonë se turqit i pëlqejnë ëmbëlsirat”.
Kjo është barbari, është mesjetë, inkuizicion. Lërjani Ilir Metën gjykatës ta dënojë, mos dëshmoni bizantizëm barbar në trajtimin e kundërshtarit.
A nuk ju mjafton ta shihni ashtu siç e pamë ne sot?!
