Këtë të premte u prezantua zyrtarisht Albanian Digital Solutions (ADS), një kompani e re shtetërore e krijuar për të zhvilluar, për të operuar dhe për të mirëmbajtur sistemet digjitale të administratës publike, në një lëvizje që synon të reduktojë varësinë nga kontraktorët privatë dhe të forcojë kapacitetet teknologjike të shtetit.
Kryeministri Edi Rama e cilësoi krijimin e ADS si një hap të domosdoshëm në fazën e re të zhvillimit të qeverisjes elektronike në vend.
“Sot bëjmë publike një kompani të re, e cila krijohet si domosdoshmëri në këtë fazë të re të zhvillimit të qeverisjes elektronike,” tha Rama.
Sipas tij, kompania do të marrë përsipër zhvillimin dhe mirëmbajtjen e sistemeve publike pa qenë e nevojshme që shteti t’i drejtohet vazhdimisht sektorit privat. “ADS do të zhvillojë sisteme pa pasur gjithmonë nevojë që shteti t’i drejtohet privatit,” u shpreh ai.
Rama tha se objektivi është krijimi i një kompanie publike konkurruese në tregun e teknologjisë, me aftësi për të tërhequr specialistët më të mirë të sektorit. “Ambicia është që shteti të krijojë kompaninë më të suksesshme publike të zhvillimit të sistemeve dhe mirëmbajtjes së tyre,” deklaroi kryeministri.
Ministrja për Ekonominë dhe Inovacionin Delina Ibrahimaj, tha se ADS synon të shkojë përtej ofrimit të shërbimeve për administratën publike dhe të krijojë produkte të eksportueshme.
“ADS synon që Shqipëria jo vetëm të ndërtojë produkte dhe shërbime për administratën publike, por edhe t’i eksportojë ato,” tha Ibrahimaj. Sipas saj, “sistemet, platformat dhe ekspertiza e zhvilluar mund të shndërrohen në produkte të tregtueshme, duke gjeneruar të ardhura dhe duke nxitur zhvillimin e industrisë vendase të teknologjisë.”
Ibrahimaj njoftoi gjithashtu se qeveria po përgatit një projekt për përdorimin e inteligjencës artificiale në prokurimet publike. Sipas saj, teknologjia do të përdoret për hartimin e termave të referencës, përllogaritjen e fondit limit dhe vlerësimin e procedurave, ndërsa sistemi do të monitorojë afatet në kohë reale.
Administratori i ADS, Saimir Kapllani, tha se kompania do të funksionojë si operatori profesional i shërbimeve teknologjike të shtetit shqiptar.
“Me kapacitetet tona do të garantojmë sigurinë, vazhdimësinë dhe përmirësimin e shërbimeve dixhitale të shtetit, si edhe ruajtjen e ekspertizës brenda institucioneve,” tha Kapllani.
Ai theksoi se ADS do të ketë rol jo vetëm në operimin e sistemeve ekzistuese, por edhe në identifikimin e nevojave, konceptimin e zgjidhjeve dhe zbatimin e tyre. Sipas Kapllanit, kompania synon të krijojë një ekip ekspertësh të teknologjisë nga Shqipëria dhe diaspora, duke ofruar paga konkurruese dhe fleksibilitet në punë.
Drejtori i AKSHI-t, Igli Tafa, e lidhi krijimin e ADS me zgjerimin e kapaciteteve të transformimit dixhital të shtetit dhe zhvillimin e platformës e-Albania 2.0.
“Implementimi i platformës e-Albania 2.0 nuk ishte thjesht një transformim teknik, por një rilindje e mënyrës se si shteti komunikon me shtresat e ndryshme të shoqërisë,” tha Tafa.
Ai shtoi se modeli i ADS bazohet në praktika të përdorura në vendet e Bashkimit Europian. “Ky nuk është një model i shpikur nga ne, por një praktikë e testuar në vendet e Bashkimit Europian, ku shoqëri të specializuara shtetërore kanë shërbyer si krahu zbatues i transformimit dixhital,” tha ai.
Tafa tha gjithashtu se inteligjenca artificiale në administratën dhe prokurimet publike pritet të reduktojë barrën burokratike dhe të rrisë efikasitetin e proceseve administrative.
