Last Updated on 20/10/2026 by EL
Migena Lezaj është emëruar drejtuesja e re e Inspektoratit Kombëtar për Mbrojtjen e Territorit në Rajonin e Dibrës. Prezantimi i saj përpara strukturave vendore u bë nga zëvendëskryeinspektori i përgjithshëm i IKMT-së, Florian Manastirliu, i cili kërkoi angazhim maksimal në mbrojtjen e territorit dhe trajtimin sa më të shpejtë të ankesave të qytetarëve.
“Duke i uruar punë të mbarë Migenës në këtë sfidë të re, gjej rastin të theksoj se për shkak të specifikës që ka Qarku i Dibrës, prioritet për punën tuaj duhet të jetë veçanërisht parandalimi i ndërhyrjeve që cenojnë mjedisin dhe mbrojtja e zonave pyjore”, u shpreh Manastirliu.
Me marrjen e detyrës, Lezaj do të ketë në fokus mbrojtjen e territorit, parandalimin e ndërtimeve dhe ndërhyrjeve të paligjshme, si dhe ruajtjen e pasurive natyrore të qarkut, ndërsa këtë ndryshim e ka pasqyruar edhe kryeinspektori i IKMT, Afrim Qëndro, në facebook-un e vet.
