Last Updated on 04/04/2026 by EL
Në Gjirokastër është rritur niveli i kontrollit pas alarmit për përhapjen e sëmundjes së aftës epizootikevirale, e cila ka prekur një numër të lartë bagëtish në shtetin fqinj. Strukturat e veterinarisë në qark kanë nisur marrjen e masave parandaluese, ndonëse deri më tani nuk është regjistruar asnjë rast. Mjekët veterinerë theksojnë se blegtorët nuk duhet të neglizhojnë parandalimin.
Ekspertët sqarojnë se kjo sëmundje virale nuk transmetohet tek njerëzit, por pasojat ekonomike janë të konsiderueshme, pasi shkakton ulje të prodhimit të qumështit, dobësim të bagëtive dhe në raste të rënda edhe ngordhjen e tyre.
“Është sëmundje virusale, është sëmundje që prek dythundrakët, gjedhët, delet, dhitë, derrat, është sëmundje që shfaqet me ethe dhe me temperaturë, dhe me enjtje të mukozave të gojës, me enjtje të thundrave të bagëtive, është sëmundje që nuk prek njerëzit, shkakton vetëm dëme ekonomike nga ulja e prodhimit, nga ndërprerja e tregtisë dhe nuk i prek njerëzit”, thotë Krenar Veli, specialist i blegtorisë.
Ndërkohë, institucionet përgjegjëse kanë shtuar masat parandaluese, duke përfshirë sensibilizimin e fermerëve, rritjen e kontrolleve në terren, si dhe monitorimin në doganën e Kakavijë. Në rast të konstatimit të rasteve të dyshuara, bagëtitë e prekura do të vendosen në karantinë për një periudhë 21-ditore, nën mbikëqyrjen e specialistëve përkatës.
“Ne jemi duke marrë masat për të informuar një herë fermerët për sëmundjen dhe për të marrë masat tona në rast se kemi shenja të kësaj sëmundjeje, sidomos tek kafshët që janë importuar bëhet rikontrolli i tyre për të pasur ato që janë vendosur në karantinë, kemi vendosur postera, kemi njoftuar fermerët”, thotë ai.
Blegtoria është ndër sektorët kryesorë për zhvillimin e ekonomisë lokale në Gjirokastër. Në këtë qark numërohen mbi 220 mijë krerë bagëti të imta dhe rreth 11 mijë gjedhë, çka e bën edhe më të rëndësishme marrjen e masave për parandalimin e përhapjes së kësaj sëmundjeje./et
