Last Updated on 09/05/2026 by Anisa
Agron Llakaj ka rrëfyer një nga episodet më të vështira të jetës së tij artistike, duke zbuluar se si u kërcënua me burg pasi imitoi për herë të parë Sali Berishën në vitet 1996-1997.
Në një rrëfim të gjatë në kanalin e tij në Youtube, të titulluar “Jeta ime”, aktori i humorit tregoi se imitimi i presidentit të asaj kohe shkaktoi reagime të forta politike, aq sa u paralajmërua të largohej menjëherë nga vendi për të shmangur arrestimin.
Llakaj kujtoi se imitimin e parë të Berishës e realizoi në Tepelenë së bashku me ikonën e humorit shqiptar, Koço Devole, ndërsa reagimi sipas tij ishte i menjëhershëm.
“Në ‘96-‘97 me Koço Devolen unë imitoj presidentin e asokohe, Sali Berishën. Për herë të parë e imitova në Tepelenë. Pati një reagim të jashtëzakonshme, ashtu si pati një reaksion nga ana e PD në Tepelenë, ishte një shok i imi, kryetar i PD i Tepelenës, i cili më tha do të shkosh në burg. Më tha ke cënuar figurën madhore të presidentit Sali Berisha, më tha e nxorre keq figurën e atij. I thashë nuk po të kuptoj, unë kam qenë mik më të. Jo më tha nuk falet, nuk bëhet ky muhabet kështu”, tha aktori.
Më tej, humoristi tregoi se situata u bë aq serioze, sa një prokuror i sugjeroi të largohej menjëherë nga Shqipëria.
“U ktheva në shtëpi në Memaliaj, ia thashë Kostandinës, aty më vjen një prokuror i Tepelenës, më thotë: Nëse ke mundësi të ikësh ik, sepse do të japë autorizimin presidenti që të të ndjekë penalisht e atëherë do të marrë fuqi momenti, në bazë të ankimit apo akuzës, Sa ta marrë vesh mbreti që s’je gomar do të kesh bërë burg kështu që ik”.
Sipas Llakajt, ai u largua menjëherë drejt Greqisë, pasi siguroi një vizë me ndihmën e konsullit Vasil Vorrnova në Gjirokastër.
“Në 11 të natës kam qenë në Gjirokastër, në hotelin “Çajupi” një djalë më ndihmoi të takoja konsullin Vasil Vorrnova. Më dha një vizë një vjeçare, kalova Kakavijën, qëndrova 4 muaj në Greqi. Ngjarja bëri bujë sepse unë e konsiderova të rëndë në jetën time. NË TVSH të imitoje Sali Berishën nuk ishte pak. Madje mbaj mend që dhe Vera Grabockas ia ofrova për ta bërë imitimin dhe ajo e njihte frymën, e nuk e interpretova. Imagjino të majtët duke më thënë: është gjigand. Në momentin kur u largua Koço Devolen nga “Telebingo”, u zëvendësua nga Filipi me mendimin se Kiço do të kthehej, por ai nuk u kthye kurrë”.
Aktori ndau edhe një episod tjetër nga viti 1998, kur sipas tij mori një kërkesë nga ish-kryeministri Fatos Nano për të imituar Berishën gjatë një takimi në Vlorë, por refuzoi për shkak të frikës nga reagimet.
“Në ‘98 për herë të parë, Sali Berisha do të shkonte në Vlorë e mua më erdhi ftesa nga Fatos Nano i cili më tha do na bësh një gjë shumë të madhe: Do na bësh një gjë shumë të madhe, do dalësh ti si Sali Berisha që të dh*ten gazit ata. Unë nuk e pranova diçka të tillë se kisha frikën mos më dilte ndonjë nga vlonjatët të më jepte plumbin ballit. Ai kishte mbështetësit e tij, sikur i ka dhe sot e kësaj dite”, rrëfeu Agron Llakaj./A.D
