Një raport i organizatës Global Echo ngre dyshime se mijëra tonë produkte bujqësore dhe ushqimore të prodhuara në kolonitë izraelite në Territoret Palestineze të Okupuara janë shitur në tregjet evropiane dhe britanike me etiketën “Made in Israel”, duke përfituar lehtësira që sipas rregullave të Bashkimit Evropian nuk duhet t’u njiheshin.
Sipas hetimit, në raftet e supermarketeve kanë përfunduar produkte si portokalle, limonë, shegë, hurma arabe, bimë aromatike dhe tahini, të cilat janë eksportuar si produkte izraelite, pavarësisht se një pjesë e tyre janë prodhuar në kolonitë izraelite në territoret e pushtuara palestineze.
Global Echo analizoi më shumë se 5 mijë e 900 dërgesa drejt Bashkimit Evropian, Mbretërisë së Bashkuar, Norvegjisë dhe Zvicrës gjatë tetë viteve të fundit. Sipas organizatës, një në gjashtë prej tyre rezultonte të kishte origjinë nga kolonitë izraelite.
Drejtoresha ekzekutive e organizatës, Emily Schaeffer Omer-Man, tha se hetimi ka konfirmuar dyshimet e ngritura prej vitesh nga organizatat palestineze dhe ndërkombëtare për mënyrën se si produktet nga kolonitë arrijnë të hyjnë në tregjet evropiane.
Raporti evidenton tre mekanizma kryesorë që përdoren për të shmangur kontrollet. Në disa raste, produktet deklarohen si me origjinë nga Izraeli edhe kur prodhohen në Bregun Perëndimor. Në raste të tjera, mallrat përzihen para eksportit, duke e bërë të vështirë identifikimin e origjinës së tyre. Sipas organizatës, ekzistojnë gjithashtu skema që u mundësojnë eksportuesve të kompensohen edhe kur autoritetet evropiane refuzojnë trajtimin preferencial doganor.
Nga analiza e mbi 2 mijë faturave tregtare, Global Echo pretendon se 16,7% e produkteve nga kolonitë janë deklaruar si produkte izraelite për të përfituar ulje ose përjashtime nga tarifat doganore, me një vlerë të vlerësuar prej 13,1 milionë eurosh.
Raporti lidh gjithashtu këto praktika me zgjerimin e kolonive izraelite në territoret e pushtuara, duke theksuar se shumica dërrmuese e eksporteve nga Bregu Perëndimor vijnë nga kolonitë, ndërsa vetëm një pjesë e vogël nga prodhuesit palestinezë.
Ndërkohë, disa vende të Bashkimit Evropian, përfshirë Spanjën dhe Slloveninë, po shqyrtojnë masa për ndalimin e importeve të mallrave dhe shërbimeve që prodhohen në territoret e pushtuara. Edhe në Itali është paraqitur një projektligj nga partitë opozitare për të kufizuar hyrjen e këtyre produkteve në treg.
Sipas të dhënave të raportit, 71% e produkteve të monitoruara kanë hyrë në Bashkimin Evropian përmes porteve të Holandës, Francës dhe Gjermanisë.
Global Echo ka paralajmëruar nisjen e procedurave ligjore ndaj institucioneve evropiane dhe britanike, ndërsa në Parlamentin Evropian po kërkohet një auditim i plotë i mallrave të etiketuara si “Made in Israel”, me qëllim verifikimin e respektimit të rregullave mbi origjinën e produkteve./mxh
