Edhe kryeministri në detyrë, Albin Kurti ka shpallur fitoren në zgjedhjet lokale, njësoj si dy krerët e partive opozitare, të cilët e bënë këtë gjë mbrëmjen e kaluar.
Kurti tha se Vetëvendosje ka fituar pa balotazh 3 komuna dhe ka shkuar në raundin e dytë në 12 të tjerë, duke marrë rezultatin më të mirë.
“Në zgjedhjet e djeshme VV ka fotuar në Podujëve, Kamenicë e Shtime. Mund të kemi fituar dhe Gjilanin pa balotazh me votat e diasporës. Jemi në balotazh në 12 nga 17 komuna. Këto janë rezultate paraprake dhe pritet ende numërimi i votave të diasporës. Rezultatet tregojnë që VV e ka ruajtur rritjen nga zgjedhjet në zgjedhje, por është ngritur si forcë kryesore edhe në nivel lokal. Kjo është dhurata më e mirë nga populli. Sot i përvishemi punës për balotazhin. Duam të fitojmë në këto komuna dhe të kthehet ose të vazhdojë qeverisja e mirë, që komunat të ecin përpara, ku qeveriset me transparencë”, tha Kurti.
Në një deklaratë për mediat, kreu i qeverisë kërkoi nga autoritetet që të hetojnë exit pollet për Mitrovicën, pasi sipas tij nuk ishte një gabim, por një sulm i organizuar.
Në lidhje me qeverinë e re, Albin Kurti u shpreh se dita e fundit kur do të prezantohet kabineti i ri në kuvend është 26 tetori.
“Dita e fundit kur do të mbahet seanca ku do të prezantoj kabinetin është 26 tetori. Shumë shpejt, që këtë javë do të nisim komunikimin për qeverinë. Kosovës i duhet një mandat i ri i qeverisë tonë. Seanca mund të mbahet dhe më herët, por 26 tetori është afati i fundit”, deklaroi kryeministri. /kb
