Një ngjarje e rëndë ka tronditur Brazilin, ku një grua 72-vjeçare ka humbur jetën pasi u rrëzua nga shkallët gjatë zbritjes nga një avion në aeroportin Congonhas të São Paulos.
Sipas mediave braziliane, e moshuara kishte udhëtuar me një fluturim të kompanisë ajrore LATAM nga qyteti Ribeirão Preto drejt São Paulos. Aksidenti ndodhi menjëherë pas uljes së avionit, teksa pasagjerët po zbrisnin nga mjeti fluturues.
Ekipet e emergjencës i dhanë ndihmën e parë në vendngjarje dhe më pas ajo u transportua me urgjencë në spital. Megjithatë, pavarësisht kujdesit mjekësor, 72-vjeçarja ndërroi jetë dy ditë më vonë si pasojë e dëmtimeve të rënda të pësuara nga rrëzimi.
Në një reagim zyrtar, kompania LATAM shprehu ngushëllimet për familjen e viktimës dhe bëri të ditur se pasagjerja mori asistencë të menjëhershme pas incidentit.
Autoritetet braziliane kanë nisur hetimet për të sqaruar rrethanat e plota të ngjarjes dhe për të përcaktuar shkakun që çoi në aksidentin fatal./kb
