Last Updated on 23/02/2026 by Anisa
Një aksident i rëndë ka ndodhur mëngjesin e sotëm (23 shkurt) në Nepal, ku një autobus me 44 pasagjerë doli nga rruga dhe ra në një greminë rreth 200 metra të thellë. Të paktën 19 persona humbën jetën, ndërsa 25 të tjerë u plagosën. Mes viktimave është edhe një 24-vjeçar britanik, raporton BBC.
Autobusi, i cili po transportonte turistë, po udhëtonte drejt kryeqytetit Katmandu kur humbi kontrollin dhe ra në bregun e lumit Trishuli, në distriktin qendror Dhading, në orët e para të mëngjesit të së hënës.
Në bord ndodheshin gjithsej 44 persona, përfshirë shoferin, nga të cilët 25 morën lëndime të ndryshme. Autobusi po vinte nga Pokhara, një destinacion i njohur turistik.
Autoritetet po hetojnë shkakun e aksidentit. Ministria e Jashtme e Mbretërisë së Bashkuar tha se po ndihmon familjen e britanikut të vdekur. Policia nepaleze tha se deri tani kanë identifikuar nëntë nga viktimat.
Ambasada kineze në Nepal raportoi se një shtetas i saj mund të ketë qenë mes të vdekurve, megjithëse kjo nuk është konfirmuar ende zyrtarisht. Ndër të plagosurit janë një shtetas kinez dhe një nga Zelanda e Re. Të gjithë të lënduarit u dërguan në spitalet e Katmandusë. Mes pasagjerëve kishte edhe fëmijë.
Në vendngjarje u dërguan ekipe të shumta, duke përfshirë policinë, ushtrinë dhe njësi shpëtimi me zhytës. Zëdhënësi i policisë, Abinarayan Kafle, njoftoi se 17 persona vdiqën në vendngjarje, ndërsa dy të tjerë humbën jetën gjatë trajtimit në spital.
Ky nuk është rasti i parë i tillë: në vitin 2024, të paktën 14 persona vdiqën kur një autobus që po udhëtonte nga Pokhara në Katmandu ra në lumin Marsyangdi, në distriktin Tanahun.
Nepali mbetet një destinacion i njohur ndërkombëtar, veçanërisht për alpinistët që vizitojnë rajonin për të ngjitur vargmalin e Himalajeve, përfshirë malin Everest.
