Një agjent i FBI-së akuzohet se ka përvetësuar mbi 900 mijë dollarë në kriptomonedha nga llogari që monitoroheshin nga agjencia në kuadër të një hetimi për sigurinë kombëtare.
Patrick Steven Yaroch ishte pjesë e një ekipi hetimor që po merrej me një çështje që përfshinte një “shtet armiqësor”.
Sipas deklaratës së tij, ai ishte i “frustruar” sepse nuk mund të ndërhynte më vendosmërisht për të ndaluar një person të paidentifikuar të hynte në këto llogari.
Prokurorët thonë se, duke shfrytëzuar privilegjet e tij të aksesit në sistemet e brendshme të FBI-së, Yaroch transferoi fondet në kriptomonedha në llogarinë e tij personale.
“Menjëherë sapo FBI-ja mori dijeni për këto akuza, ndërmorëm veprime të menjëhershme, nisëm një hetim dhe javën e kaluar ekzekutuam urdhrin e arrestit”, deklaroi një zëdhënës i Byrosë.
Një muaj para arrestimit, Yaroch kishte pyetur ChatGPT-në: “Nëse do të kisha rreth një milion dollarë dhe do të doja të largohesha nga Shtetet e Bashkuara për t’u bërë rezident ose shtetas i një vendi të Bashkimit Evropian, ku do të shkoja?”
Sipas dokumenteve të cituara, përgjigjja përmendte zona si Cilento në Itali ose rajonin Dão në Portugali, duke i përshkruar si vende të përshtatshme për një stil jetese më të qetë, të lidhur me bujqësinë ose vreshtarinë./mxh
