Alan Sorrenti kthehet te albumi i tij historik Di notte (1980), pjesë e trilogjisë së tij kaliforniane së bashku me Figli delle stelle dhe L.A. New York. Me ribotimin në vinil, CD dhe në platformat digjitale, muzikanti shpreson që publiku të rizbulojë një projekt të nënvlerësuar, i cili në kohën e vet u mbulua nga suksesi i madh i këngës “Non so che darei”.
Sorrenti kujton vitet kur jetonte në Los Anxhelos, mes studios së Jay Graydon dhe Greg Mathieson, në një atmosferë krijuese që ai e quan “përvoja ime e vërtetë amerikane”. Trilogjia shquhet për tingullin karakteristik të LA Sound, një përzierje funk-pop-soul që ndikoi edhe në grupe si Toto. Për të, Di notte është albumi më i plotë, i ngarkuar me përvojë, jo vetëm me zbulim.
Ribotimi lindi nga remiksi i një 23-vjeçari, Pekka, i cili magjepsi Universal-in dhe e shtyu kompaninë të nxirrte sërish në treg albumin. Sorrenti thotë se të rinjtë e sotëm mund të gjejnë aty energjinë analoge të fundit të viteve ’70, një atmosferë të lirë, të “qetësisë kaliforniane”, e cila sot mungon.
Duke kujtuar atë periudhë, ai përshkruan Kaliforninë si një sezon të papërsëritshëm lirie dhe eksperimentimi, ku edhe përdorimi i drogës shihej si pjesë e kërkimit krijues. Në Los Anxhelos, jeta artistike zhvillohej në festa private, studio dhe në rrugët plot ngjyra që ai i krahason me filmin e David Lynch. Në Chateau Marmont i ndodhte të takonte shpesh aktorë si Robert De Niro ose të shihte Blues Brothers duke festuar.
Në vilën e Humphrey Bogart në Laurel Canyon, ku Greg Mathieson kishte studion e tij, Sorrenti shkroi “Non è follia”, duke e përjetuar atë vend si një qendër filozofie, bohemie dhe intensive pune studioje.
Sot, ai sheh se kërkimi për liri dhe identitet vazhdon tek të rinjtë, ndonëse bota është bërë më e mbyllur e më e obsesionuar me sigurinë. Megjithatë, në koncertet e tij, të rinjtë identifikohen më fort se kurrë me “Figli delle stelle”, një këngë që duket se ka rifituar kuptim tek brezi i ri.
Përgatiti: L.Veizi
