Last Updated on 19/05/2026 by Anisa
Ministri i Drejtësisë, Toni Gogu, në një deklaratë për gazetarët, ka bërë me dije se procesi i njohur si IBAR (Raporti i Vlerësimit të Piketave të Ndërmjetme) tashmë ka kaluar nga grupi i punës në grupin e ambasadorëve të vendeve anëtare të BE-së dhe se ky raport ka vlerësime pozitive për vendin tonë në rrugën drejt Bashkimit Europian.
“Në 18 muajt e fundit, 70 institucione janë koordinuar dhe janë dërguar mbi tetë mijë faqe dokumentacion. IBAR është një proces që tashmë ka kaluar nga grupi i punës në grupin e ambasadorëve të vendeve anëtare dhe tregon se procesi po ecën përpara, duke pasur mbështetje faktike dhe institucionale për çdo masë nga ana jonë. Besoj se, në fund të ditës, ky raport, i cili ka vlerësuar masat tona, lidhet me rezultatet që ne duam të shohim në vijim nga sistemi i drejtësisë”, u shpreh ministri.
Gogu u ndal te tri pikat pozitive dhe një negative që evidentohen për Shqipërinë.
“Cilësia e reformave vlerësohet në atë raport. Në lidhje me sistemin e drejtësisë dhe backlog-un, dje prezantuam një anketë rajonale ku del qartë progresi i reformës në drejtësi në Shqipëri. Besimi i qytetarëve është dyfishuar, në 53%; pavarësia e sistemit është rritur me 30%; vetë reforma perceptohet pozitivisht, ndërsa perceptimi negativ ka rënë. Shifra negative është ajo që ka të bëjë me backlog-un, sepse qytetarët e shohin sistemin të vështirë për ta përballuar financiarisht. Po shohim shenjat e para pozitive të kthimit të prirjeve në sistem dhe të uljes së çështjeve të mbartura”, deklaroi ai.
Ai bëri me dije edhe tri prioritetet strategjike të dikasterit që drejton, pa të cilat, sipas tij, Shqipëria nuk mund të futet në BE.
“Kemi vendosur së bashku me ekipin drejtues të ministrisë tri prioritete strategjike. I pari është fuqizimi i garancive procedurale dhe i të drejtave të njeriut në procesin e drejtësisë; i dyti, rritja e eficiencës së sistemit gjyqësor; si dhe rritja e aksesit të qytetarëve në sistemin e drejtësisë”, tha Gogu.
Gogu tha po ashtu se ka nisur puna për godinën e re të Gjykatës së Apelit.
“Kemi harmonizuar statistikat; numrat do t’i lexojmë njësoj. Po rriten kapacitetet njerëzore në gjykata, numri i këshilltarëve ligjorë po rritet në të gjitha nivelet e gjykatave, hapësirat janë shtuar dhe presim që të ecë përpara ndërtimi i godinës së re për Gjykatën e Apelit”, tha ai.
Ndërkohë, ai shtoi se një “masë tjetër që ministria po konsideron është nxitja e zgjidhjeve jashtëgjyqësore, siç është ndërmjetësimi”./A.D
