Last Updated on 12/08/2026 by EL
Forcat e djathta dhe populiste po fitojnë terren në Europë, ndërsa partitë tradicionale të qendrës mund të mos sigurojnë më shumicën në Parlamentin Europian.
Një projeksion i ri i Europe Elects tregon se tre grupet kryesore që kanë garantuar shumicën parlamentare në BE – Partia Popullore Europiane (EPP), Renew Europe dhe Socialistët dhe Demokratët (S&D) – për herë të parë mund të mos arrijnë së bashku numrin e nevojshëm të mandateve për të formuar një shumicë.
Sipas projeksionit, S&D do të ishte humbësi më i madh, me 18 eurodeputetë më pak, ndërsa EPP do të humbiste 15 dhe Renew Europe nëntë vende. Edhe të Gjelbërit/EFA pritet të tkurren me 14 mandate. Në të kundërt, grupi i krahut të djathtë Europe of Sovereign Nations (ESN), ku përfshihet edhe AfD-ja gjermane, mund të fitojë 19 vende.
Rritje pritet edhe për Patriots for Europe (PfE), ku bën pjesë National Rally e Marine Le Pen, me 12 mandate më shumë, ndërsa European Conservatives and Reformists (ECR), ku dominon partia e Giorgia Melonit, Brothers of Italy, parashikohet të fitojë tre vende.
Ndryshimi politik reflekton një tendencë që u bë veçanërisht e dukshme në zgjedhjet europiane të vitit 2024, kur partitë e qendrës së djathtë dhe të djathtës fituan afro 60 vende. Sipas ekspertëve, rritja nuk kufizohet vetëm te e djathta, pasi edhe grupi i së majtës radikale The Left parashikohet të fitojë 19 mandate.
Nëse këto tendenca konfirmohen në zgjedhjet e ardhshme europiane, EPP do të mbetet grupi më i madh në Parlament, por do ta ketë më të vështirë të ndërtojë një shumicë vetëm me forcat tradicionale të qendrës. Në të njëjtën kohë, mundësia për marrëveshje me partitë e djathta do t’i jepte EPP-së një rol edhe më të rëndësishëm në përcaktimin e politikave europiane.
Sipas drejtorit të Europe Elects, Tobias Gerhard Schminke, politika europiane po bëhet gjithnjë e më e fragmentuar, ndërsa mbështetja për qendrën politike po dobësohet. Ai paralajmëron se forcat e djathta radikale po bëhen gjithnjë e më të vështira për t’u injoruar kur bëhet fjalë për krijimin e koalicioneve.
Zgjedhjet e ardhshme për Parlamentin Europian do të mbahen në qershor 2029 dhe deri atëherë rezultati mund të ndryshojë ndjeshëm. Megjithatë, nëse trendi aktual vazhdon, partitë tradicionale europiane do të përballen me një sfidë të re për të ruajtur kontrollin mbi shumicën parlamentare dhe për të mbajtur në fuqi “cordon sanitaire” ndaj forcave ekstremiste.
