Last Updated on 12/08/2026 by EL
Kur ishte hera e fundit që shkuat në një vend vërtet të qetë? Jemi mësuar aq shumë me zhurmën e vazhdueshme të makinave, fqinjëve që flasin me zë të lartë apo edhe lëvizjes së mobilieve nga apartamenti sipër, saqë heshtja e plotë bie menjëherë në sy. Dhe është… bukur. Madje relaksuese. Ndoshta duhet të kërkojmë më shpesh vende të qeta.
Indeksi i ri Noise-Free Nations Index, i hartuar nga Go2Africa, ka renditur vendet më të qeta në botë, duke analizuar faktorë si dendësia e popullsisë, numri i turistëve, sipërfaqja rurale, zonat e mbrojtura, dendësia e automjeteve, aeroporteve dhe linjave hekurudhore. Secilit vend iu dha një pikëzim nga 100, i cili u përdor për të krijuar rezultatin përfundimtar të qetësisë.
Vendet më të qeta në botë
Butani kryeson renditjen me një rezultat prej 89.44 pikësh, kryesisht falë sipërfaqeve të mëdha rurale. Vendi ka më shumë se 39 mijë kilometra katrorë me male të pyllëzuara, lugina dhe terrene të larta.
Edhe numri i turistëve që mund të vizitojnë Butanin mbahet i ulët përmes një tarife për zhvillimin e qëndrueshëm, duke e bërë atë një nga destinacionet më të shtrenjta në botë.
Afrika dominon renditjen, me më shumë se gjysmën e vendeve të përfshira në 25-shen e parë. Namibia renditet e dyta me 86.69 pikë, ndërsa ka vetëm 3.83 banorë për kilometër katror. Aty ndodhet edhe shkretëtira Namib, e konsideruar si shkretëtira më e vjetër në botë. Në vendin e tretë është Botsvana, e cila ka një strategji turistike të bazuar në “volum të ulët dhe vlerë të lartë”. Pas saj vijnë Zambia dhe Gabon, të dyja të njohura për sipërfaqet e mëdha të mbrojtura dhe natyrën e paprekur. Asnjë vend europian nuk arriti të hyjë në 25-shen e parë. Vendi më i qetë në Europë rezultoi Estonia, në vendin e 34-të, e ndjekur nga Finlanda në vendin e 39-të dhe Suedia në vendin e 40-të.
Sipas indeksit, kjo lidhet me dendësinë më të lartë të popullsisë në Europë, numrin e madh të turistëve dhe rrjetet e zhvilluara të infrastrukturës.
1. Butani – 89.44 pikë
2. Namibia – 86.69 pikë
3. Botsvana – 80.86 pikë
4. Zambia – 80.64 pikë
5. Gabon – 80.61 pikë
6. Venezuela – 80.20 pikë
7. Çadi – 79.82 pikë
8. Republika e Afrikës Qendrore – 78.18 pikë
9. Mongolia – 75.53 pikë
10. Bolivia – 75.40 pikë
Po vendet më të zhurmshme?
Në anën tjetër të renditjes, vendet më të zhurmshme në botë dominohen kryesisht nga destinacionet aziatike.
Singapori renditet i pari, pasi vetëm 30% e territorit të tij mbulohet nga zona rurale dhe vendi regjistron rreth 23,609 turistë për kilometër katror.
Në vendin e dytë, disi çuditërisht, renditen Maldivet. Edhe pse ishujt turistikë mund të ofrojnë qetësi, kryeqyteti Malé është një nga zonat me dendësinë më të lartë të popullsisë në botë. Barbadosi renditet i treti, ndërsa sipas Go2Africa, një nga arsyet është se një territor kaq i vogël shërbehet nga dy aeroporte dhe përballet gjithashtu me zhurmën e shpeshtë të trafikut të anijeve turistike.
1. Singapori – 6.78 pikë qetësie
2. Maldivet – 8.48 pikë
3. Barbadosi – 10.12 pikë
4. Katari – 15.45 pikë
5. Libani – 18.13 pikë.
