Portreti që del për Kash Patel, kreun e FBI-së, nga investigimi që i kushton numri i fundit i revistës Atlantic, një nga periodikët më prestigjiozë amerikanë, është katastrofik. Dhe këtë e dëshmon edhe reagimi i ashpër i vetë Patel: “Të gjitha janë gënjeshtra. Shihemi në gjykatë. Merrni bllokun e çeqeve”, ka deklaruar ai.
Një “paranojak” i fiksuar nga “frika se do të shkarkohet nga puna”. Një njeri që pi shumë, aq sa në disa raste rojet e tij e kanë pasur të vështirë ta zgjonin. Një nga figurat kyçe të administratës amerikane që të paktën një herë ka rezultuar i paarritshëm pas dyerve të mbyllura me çelës, aq sa është kërkuar edhe përdorimi i mjeteve për t’i hapur me forcë. Me pak fjalë, një rrezik për sigurinë kombëtare: pikërisht atë që duhet të ndihmojë të mbrojë.
Portreti që del për Kash Patel, kreun e FBI-së, nga investigimi që i kushton numri i fundit i revistës Atlantic, një nga periodikët më prestigjiozë amerikanë, është katastrofik. Dhe këtë e dëshmon edhe reagimi i ashpër i vetë Patel: “Të gjitha janë gënjeshtra. Shihemi në gjykatë. Merrni bllokun e çeqeve”, ka deklaruar ai.
Edhe Shtëpia e Bardhë e mbron: duke punuar së bashku me Donald Trump – shpjegon zëdhënësja Karoline Leavitt – Patel ka “ulur kriminalitetin në nivelet më të ulëta të 100 viteve të fundit. Ai është një figurë kyçe në administratë”.
Megjithatë, brenda administratës, shqetësimet për Patel dhe zakonin e tij për të pirë tepër nuk janë të reja. Të gjithë janë në dijeni për dehjet e tij në klubin privat Ned’s në Washington apo në Poodle Room në Las Vegas, ku kalon një pjesë të fundjavave. “Pi aq shumë sa nuk arrin ta fshehë në publik gjendjen e tij të dehur”, deri në atë pikë sa detyrohet edhe të “shtyjë takime”.
Ditët e fundit – zbulon Atlantic – Patel, ndërsa po përgatitej të largohej nga zyra për fundjavë, pati vështirësi të hynte në sistemin e brendshëm të FBI-së dhe u tërbua. Reagimi i tij i parë ishte paniku, më pas filloi të qarkullonte në agjenci duke thënë se ishte shkarkuar nga Shtëpia e Bardhë. Në realitet bëhej fjalë për një problem të thjeshtë teknik që u zgjidh shpejt: por episodi është domethënës për paranojën e tij për t’u shkarkuar, për mosbesimin ndaj gjithçkaje dhe të gjithëve, si dhe për prirjen për të nxjerrë përfundime të nxituara pa prova të mjaftueshme.
45-vjeçari, një nga figurat më të ashpra të botës MAGA, ishte zgjedhur nga Trump për të drejtuar një agjenci me të cilën, gjatë mandatit të tij të parë si president i Shteteve të Bashkuara, kishte pasur përplasje për shkak të çështjes Russiagate.
Sapo mori detyrën, Patel shkarkoi dhjetëra funksionarë të FBI-së që konsideroheshin armiqësorë ndaj administratës.
Megjithatë, emri i tij prej kohësh përmendet si një nga të mundshmit për t’u “sakrifikuar” nga presidenti. Sipas zërave, ai duhej të largohej menjëherë pas daljes nga detyra të ministres së Drejtësisë Pam Bondi, së bashku me drejtoren e inteligjencës Tulsi Gabbard.
Për momentin, Patel po reziston pavarësisht polemikave dhe qortimeve të presidentit. Trump madje e ka kritikuar publikisht muajt e fundit për një video virale ku ai shihej duke pirë një birrë me fund në dhomat e zhveshjes së ekipit amerikan të hokejit pas fitores së medaljes së artë në Lojërat Olimpike Dimërore.
Wall Street Journal ka publikuar një ekskluzive ku detajohen fluturimet shtetërore të përdorura nga Patel për shumë udhëtime private, mes tyre nëntë në Las Vegas – qyteti ku jetonte para se të zhvendosej në Washington – dhe shtatë në Nashville, ku jeton e dashura e tij, këngëtarja country Alexis Wilkins. Disa nga këto fluturime thuhet se kanë ndodhur në kohën kur, gjatë shutdown-it, punonjësit e FBI-së ishin në shtëpi pa pagë. Dhe kjo çështje do të kishte pasur më pak jehonë nëse disa vite më parë Patel nuk do ta kishte akuzuar paraardhësin e tij, Chris Wray, për përdorimin e fluturimeve shtetërore për pushime.
Edhe më serioze janë çështjet që lidhen me mosrespektimin e protokollit në menaxhimin e hetimeve më delikate. I njohur është rasti i vrasjes së aktivistit konservator Charlie Kirk, kur Patel njoftoi kapjen e një të dyshuari plot 24 orë para se i dyshuari të dorëzohej vetë te autoritetet.
Po aq siklet shkaktoi edhe njoftimi, më 31 tetor, për një “sulm të mundshëm terrorist të parandaluar nga FBI” në Michigan, për të cilin policia lokale nuk kishte dijeni. Prokurori kompetent nuk kishte ngritur ende asnjë akuzë formale. Vetëm disa ditë më vonë, pas përfundimit të fazës së parë të hetimeve, një grup të rinjsh u akuzua zyrtarisht për grumbullim armësh për një sulm të frymëzuar nga ISIS kundër lokaleve gay.
Brenda FBI-së, shumë janë mësuar me sjelljen e tij të çuditshme, që përfshin edhe pakënaqësinë e tij për produktet promocionale të agjencisë, të cilat i konsideron “jo mjaftueshëm frikësuese”.
“Një pjesë e imja është e lumtur që ai e humb kohën me gjëra të tjera sepse kështu është më pak i rrezikshëm, por kjo do të thotë – ka thënë një burim i agjencisë për Atlantic – që nuk kemi një drejtues real operativ”.
Ndërsa një agjent i FBI-së ka thënë se ideja që Patel mund të jetë në krye të reagimit ndaj një sulmi të mundshëm terrorist “e mban zgjuar natën”./ Corriere della Serra
