Modeli i inteligjencës artificiale “Claude”, i ndërtuar nga kompania “Anthropic”, aksesoi pa autorizim njerëzor, të dhëna zgjedhore të shtetit amerikan të Xhorxhias, pasi anashkaloi një kufizim pagese në faqen e të dhënave publike, raportoi “Axios”.
Sipas kompanisë, “Claude” po përdorej në një projekt të brendshëm statistikor, kur kërkoi vetë një kod digjital aksesi, për të marrë të dhëna që zakonisht mund të shiheshin kundrejt pagesës.
“Anthropic” sqaroi se modeli mori vetëm shifra të përmbledhura për numrin e votave dhe nuk hyri në sistemin e regjistrimit të votuesve, nuk mori të dhëna individuale dhe nuk ndryshoi asnjë të dhënë zgjedhore.
Edhe autoritetet e Xhorxhias konfirmuan se aktiviteti, përfshinte të dhëna të disponueshme përmes portalit publik të shtetit dhe nuk përbënte ndërhyrje në sistemin e regjistrimit të votuesve.
Kompania bëri të ditur se ka marrë masa për të parandaluar përsëritjen e rasteve të tilla.
Ngjarja ka rritur shqetësimet mbi aftësinë e sistemeve të inteligjencës artificiale, për të ndërmarrë veprime në mënyrë autonome, veçanërisht kur përpiqen të përmbushin detyra pa mbikëqyrje të drejtpërdrejtë njerëzore.
Rasti u bë publik pak ditë para zgjedhjeve të mesmandatit në SHBA, që do të mbahen më 3 nëntor 2026, dhe ka rikthyer vëmendjen te siguria e sistemeve digjitale dhe kontrolli mbi përdorimin e inteligjencës artificiale./mxh
