Një dron detar i përdorur në luftën në Ukrainë ka shpërthyer të premten në portin e Konstancës në Detin e Zi, në Rumani, pranë një terminali nafte, pa shkaktuar viktima.
Ministria e Mbrojtjes e Rumanisë njoftoi se shpërthimi u shoqërua me tym të dendur të zi mbi ujë, ndërsa pamjet filmike kanë regjistruar edhe zhurmën e fortë të eksplozionit.
Autoritetet evakuuan menjëherë portin, ndërsa banorëve përgjatë bregdetit të Detit të Zi iu kërkua të qëndrojnë të strehuar. Dy helikopterë u angazhuan për të monitoruar zonën në kërkim të dronëve të tjerë të mundshëm.
Sipas mediave lokale, në zonë janë gjetur edhe tre dronë të tjerë detarë, ndërsa origjina e tyre nuk është konfirmuar zyrtarisht.
Ngjarja vjen një javë pasi një dron rus goditi një ndërtesë banimi në qytetin Galați pranë kufirit me Ukrainën, duke plagosur dy persona — rasti i parë i një goditjeje të tillë në territor të një vendi të NATO-s.
Rumania, anëtare e NATO-s dhe Bashkimit Evropian, ndan një kufi të gjatë me Ukrainën dhe ka raportuar disa shkelje të hapësirës së saj ajrore që nga fillimi i luftës./mxh
