Last Updated on 30/06/2026 by Kesjana
Shërbimi Kombëtar i Motit i SHBA-së (NWS) paralajmëroi të hënën për një valë të zgjatur dhe “të rrezikshme” të të nxehtit, e cila pritet të intensifikohet në pjesën qendrore dhe lindore të SHBA-së gjatë gjithë javës.
“Një zonë me presion të lartë në shtresat e sipërme të atmosferës do të sjellë nxehtësi të rrezikshme me temperatura” në intervalin 32 deri në 38 gradë Celsius, tha Qendra e Parashikimit të Motit. Lagështia e lartë do të krijojë ndjesi të nxehtësisë nga 43 deri në 46 gradë Celsius në Rrafshinat Jugore dhe rajonin e Atlantikut të Mesëm.
Autoritetet parashikojnë një nivel “rreziku të madh deri ekstrem nga nxehtësia” për të martën, duke theksuar se ftohja e kufizuar gjatë natës do ta përkeqësojë situatën. Temperaturat minimale gjatë natës pritet të mbeten rreth 24 deri në 26 gradë Celsius, duke rritur rrezikun e problemeve shëndetësore nga nxehtësia për grupet “e ndjeshme”, paralajmëroi NWS-ja.
Rreziqet për festën e 4 korrikut
Kushtet ekstreme pritet të vazhdojnë gjatë festës së 4 korrikut.
Një rrezik i gjerë nga nxehtësia, nga i madh deri ekstrem, pritet në Liqenet e Mëdha të Poshtme, luginat e Mississippit dhe Ohios, si dhe në rajonin e Atlantikut të Mesëm gjatë kësaj jave, tha NWS-ja. Agjencia u bëri thirrje qytetarëve të kufizojnë aktivitetet në ambiente të jashtme dhe të sigurojnë qasje në qendra freskimi, pasi nxehtësia krijon “stres të konsiderueshëm për trupin”.
Sipas të dhënave nga “AccuWeather”, temperaturat kanë arritur në 34 gradë Celsius në Houston dhe Phoenix, ndërsa Dallasi ka regjistruar 33 gradë Celsius dhe Jacksonville 35 gradë Celsius. Washingtoni dhe New York City shënuan përkatësisht 30 dhe 29 gradë Celsius./kb
