Sëmundjet seksualisht të transmetueshme, veçanërisht gonorrea dhe sifilizi, kanë arritur nivele rekord në Europë gjatë vitit 2024, sipas të dhënave më të fundit nga Qendra Europiane për Parandalimin dhe Kontrollin e Sëmundjeve.
Ky institucion shëndetësor ka raportuar se të dyja sëmundjet kanë shënuar nivelet më të larta në më shumë se një dekadë, ku gonorrea ka regjistruar mbi 106 mijë raste, duke shënuar një rritje prej më shumë se 300% që nga viti 2015, ndërsa rastet e sifilizit janë dyfishuar në të njëjtën periudhë, duke arritur në mbi 45 mijë.
Agjencia shëndetësore ka bërë thirrje për masa urgente, duke vënë në dukje se boshllëqet në testim dhe parandalim janë ndër shkaqet kryesore të kësaj përhapjeje.
Përveç komplikimeve afatgjata si dhimbjet kronike dhe infertiliteti, ekspertët janë shprehur të shqetësuar për dyfishimin e rasteve të sifilizit kongjenital, ku infeksioni kalon nga nëna te i porsalinduri duke shkaktuar probleme shëndetësore të përjetshme.
Spanja rezulton si vendi me numrin më të lartë të rasteve të konfirmuara për të dyja sëmundjet në nivel kontinental.
Ndërkohë, klamidia mbetet infeksioni bakterial më i raportuar në përgjithësi, por me një prirje rënëse të rasteve krahasuar me një dekadë më parë.
Përballë këtyre shifrave alarmante, autoritetet shëndetësore këshillojnë përdorimin e prezervativëve me partnerë të rinj ose të shumtë dhe kryerjen e rregullt të testeve, duke theksuar se këto sëmundje mund të trajtohen me antibiotikë nëse kapen në kohë, por bëhen të rrezikshme nëse lihen pa trajtuar./mxh
