Last Updated on 06/10/2026 by Monika
Ish-presidenti i Katalonjës, Carles Puigdemont mund të kthehet në Spanjë, pasi Gjykata Kushtetuese ka vendosur se amnistia e vitit 2024 mbulon edhe akuzën për keqpërdorim të fondeve publike. Pas këtij vendimi, gjyqtari i Gjykatës Supreme, Pablo Llarena, ka hequr urdhër-arrestin ndaj Puigdemont dhe dy ish-këshilltarëve katalanas, Toni Comín dhe Lluís Puig.
Puigdemont jeton në Ëaterloo të Belgjikës që prej vitit 2017, kur u largua nga Spanja pas shpalljes së pavarësisë së Katalonjës. Ai kishte ikur nga vendi për t’i shpëtuar arrestimit nga autoritetet spanjolle.
Gjykata Kushtetuese votoi me shtatë vota pro dhe pesë kundër që amnistia të përfshijë edhe përdorimin e fondeve publike për financimin e referendumit të pavarësisë të 1 tetorit 2017. Gjykata Supreme kishte argumentuar se kjo çështje duhej të përjashtohej nga amnistia.
Tani Gjykata Supreme pritet të mbyllë çështjen ndaj liderëve katalanas dhe të heqë edhe ndalimet për ushtrimin e funksioneve publike. Vendimi mund t’i hapë rrugën edhe ish-zëvendëspresidentit katalanas Oriol Junqueras për t’u rikthyer në politikë dhe për të kandiduar në zgjedhjet e parakohshme të 29 nëntorit.
Puigdemont nuk ka përcaktuar ende një datë për kthimin në Spanjë. Avokati i tij, Gonzalo Boye, tha se duhet pritur, por la të kuptohet se klienti i tij mund ta kalojë Krishtlindjen në Katalonjë.
Vendimi ka shkaktuar reagime të forta politike. Presidenti i Katalonjës, socialisti Salvador Illa, tha se “koha na dha të drejtë”. Ndërsa Partia Popullore e ka cilësuar amnistinë si një marrëveshje politike mes kryeministrit Pedro Sánchez dhe partisë së Puigdemont, Junts.
Junts kishte mbështetur në vitin 2023 formimin e qeverisë së Sánchez-it, duke i siguruar atij votat e nevojshme për të marrë drejtimin e vendit.
Ndërkohë, Spanja po përgatitet për zgjedhjet e parakohshme të 29 nëntorit. Sánchez ka mbrojtur vendimet për faljet dhe amnistinë, ndërsa qeveria e tij po përpiqet të vendosë në qendër të fushatës edhe krizën e strehimit.
Në këtë kuadër, qeveria ka miratuar masa të reja për qiratë dhe blerjen e banesave, përfshirë zgjatjen e kontratave të qirasë deri në dy vjet për personat që kanë paguar rregullisht, kredi pa interes deri në 50 mijë euro për blerësit e banesës së parë dhe lehtësi për pronarët që ofrojnë qira me çmime të përballueshme.
Edhe partia Junts ka nevojë për një rezultat më të mirë në zgjedhjet e ardhshme. Sipas një sondazhi të Ipsos për “La Vanguardia”, partia mund të humbasë ndjeshëm vende si në parlamentin katalanas, ashtu edhe në Madrid. Kthimi i Puigdemont në Spanjë mund të jetë një nga faktorët që Junts shpreson ta përdorë për të rikuperuar mbështetjen e humbur./mxh
