Në portin e Klaipėda kanë mbërritur anije luftarake të NATO-s, si pjesë e grupit të përhershëm për kundërmasa ndaj minave detare NATO, në një operacion që synon rritjen e mbikëqyrjes dhe mbrojtjen e infrastrukturës kritike nënujore në Detin Baltik.
Sipas komandantit të Marinës së Lituanisë, kapiten Tadas Jablonskis, misioni i njësisë shkon përtej pastrimit nga minat, duke përfshirë edhe mbrojtjen e kabllove dhe infrastrukturës nënujore, si dhe monitorimin e situatës detare në rajon.
Operacioni zhvillohet në kuadër të misionit të NATO-s “Baltic Sentry”, i cili fokusohet në vëzhgimin e lëvizjeve detare dhe rritjen e sigurisë në zonën e Baltikut, mes shqetësimeve për kërcënime të mundshme ndaj infrastrukturës kritike.
Komandanti i grupit të NATO-s për kundërmasa ndaj minave, kapiten Kacper Sterne, deklaroi se ky operacion ka përmirësuar ndjeshëm aftësinë e reagimit të aleancës, duke ulur kohën e ndërhyrjes nga 17 orë në vetëm një orë në rast incidentesh të dyshimta.
Ai theksoi se NATO tashmë është në gjendje të reagojë shpejt me anije, avionë dhe dronë, ndërsa situata në Detin Baltik mbetet e qëndrueshme, pa incidente të reja që nga nisja e operacionit.
Anijet e vendeve anëtare, përfshirë Poloninë, Francën dhe Estoninë, janë të angazhuara në patrullime dhe monitorim të vazhdueshëm, me qëllim forcimin e sigurisë detare dhe mbrojtjen e infrastrukturës strategjike nënujore në rajon./mxh
