Last Updated on 30/09/2025 by adminfjala
Gjykata Kushtetuese ka bërë të ditur sot se ka regjistruar kërkesën e ish-kryebashkiakut të Tiranës, Erion Veliaj, lidhur me vendimin e Këshillit Bashkiak dhe Qeverisë për shkarkimin e tij nga detyra.
Në një njoftim të shkurtër, Kushtetuesja thekson se “publikimi i regjistrimit të kërkesës është i barasvlershëm me njoftimin publik”. Kjo nënkupton se ankimi i Veliajt është pranuar për shqyrtim fillestar nga gjykata.
Ndërkohë, Kryeministria ka njoftuar zyrtarisht Presidencën për vakancën e krijuar në Bashkinë e Tiranës dhe në pesë bashki të tjera, duke i kërkuar kreut të shtetit të caktojë datën e zgjedhjeve.
Çështja pritet të shqyrtohet nga Gjykata Kushtetuese, ndërsa mbetet e paqartë nëse vendimi për shkarkim do të pezullohet deri në përfundimin e procesit.
